BLOG, 16 Nëntor 2021, 12:32

Sfumimi i Kuvendit më 11 dhjetor, funerali faktik i PD

Sfumimi i Kuvendit më 11 dhjetor, funerali faktik i PD

Kurrë më parë në gati 31 vite ekzistencë, Partia Demokratike nuk ka qenë kaq pranë asgjesimit të saj. Dhe për çudinë më të madhe, ata që po mundohen ti bëjnë funeralin janë pikërisht ata që i kanë marrë më shumë se kushdo kësaj force politike: Berisha dhe Basha.

I pari është ndër themeluesit, drejtuesit dhe mikluesit e saj. PD-ja e bëri Kryetar. PD-ja e bëri president. PD-ja e bëri Kryeministër. PD-ja i dha prestigj në mbarë botën politike. PD-ja i dha mundësinë (me pahir kuptohet) edhe tagrin, që të zgjidhte pa shumë mundime edhe pasardhësin e vet. Sot, po ky njeri, po e përdor këtë parti për interesin e tij personal, pavarësisht se “Foltorja” në vetvehte, për kolapsin ku është futur kjo forcë politike, ishte/është oksigjen i pastër; një nevojë e domosdoshme dhe emergjente për anëtarësinë e PD-së.

Në kahun tjetër, Lulzim Basha, ndër absolutisht njerëzit me më pak kontribute në sërën e parisë së kësaj partie. I katapultuar nga hiçi, nga viti 2005 kur e sollën në PD dhe deri tani që e drejton de jure, këtij personazhi nuk i ka shkelur asnjëherë “këmba në tokë”: Ministër i Transporteve. Ministër i Jashtëm. Ministër i Brendshëm. Kryetar bashkie. Dhe në fund Kryetar partie. Asnjë ditë të vetme në opozitë, të paktën derisa mori frenat e opozitës. Dhe nga ai moment PD-ja ka njohur rekorde të frikshme negative. Keq në imazh. Keq në menazhim. Keq në numra politikë. Keq e mos më keq. Aq keq është sa kundërshtari politik, Edi Rama dhe shpura e tij mediatike, po bëjnë të pamundurën që ta mbajnë në krye të PD-së se e kanë kuptuar më së miri se me të e kanë fitoren në xhep, pa dalë fare në fushatë. Në të kundërt, nuk ka sesi të justifikohet “dashuria” dhe meraku i madh që i ka zënë për Lul Bashën....

Dhe në këto kushte ku “E shkuara” kacavjirret, duke u mundur të prekë sedrën e militantëve dhe “E tashmja” dergjet në llumin e vet, pavarësisht sofizmave dhe pamjes surreale që mundohet të paraqesë, demokratët kanë vetëm një shans: të bëhen zotër të partisë së tyre.

Asnjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar anëtarësia nuk ka qenë zot i fatit të vet më shumë sesa këtë herë. Larg çdo ndikimi politik dhe moral. Larg çdo joshjeje groteske për një të adhme me “lugë floriri” që vjen nga selia zyrtare, demokratët mund të shpëtojnë PD-në, vetëm më 11 dhjetor. Atë ditë është kuvendi i tyre. Atë ditë, PD-ja shpëton ose asgjësohet, ndahet mëdysh. Atë ditë nis rrugëtimi drejt një të ardhme solide, apo një partie që do shuhet dalëngadalë për shkak të plaçkitjes dhe interesit thelbësisht personal të kryetarit dhe sahalëpirësve të tij.

Mbledhja e Kuvendit nga ¼ e anëtarësisë (në fakt janë më shumë se 75% e delegatëve që kanë firmosur) është shenja më e mirë dhe kuptimplotë se PD-ja nuk është pronë e Berishës dhe ca më pak e Bashës. PD-ja është institucion dhe pronarët e vetëm dhe legjitimë të saj janë anëtarët e kësaj force politike. Kuvendi është organi më i lartë, është Parlamenti i PD-së. Në këtë kontekst, sipas ligjeve të këtij vendi por edhe mbarë botërore, Legjislativi është mbi çdo organ tjetër. Pra, Legjislativi ka tagër që të rrëzojë Ekzekutivin/ Kryetarin, dhe e kundërta nuk ndodh kurrë. Kuvendi mblidhet, dhe ligjërisht nuk e pyet fare kryetarin, ndërsa kryetari nuk e mbledh dot asnjëherë kuvendin nëse nuk duan anëtarët.

Në këtë kuptim, delegatët shpëtojnë PD-në vetëm nëse i shkojnë deri në fund inisiativës së marrë nga vetë ata për mbledhjen në datë 11 dhjetor. Një kuorum i lartë në këtë kuvend, jo vetëm që do të sfumonte totalisht “mbledhjen e sahanlëpirësve” më datë 18 dhjetor, por do të vendoste baza për të ardhmen e kësaj force politike. E kundërta: joshja nga kryetari apo laskarët e tij me poste dhe delegjitimimi i kësaj inisiative unikale për Shqipërinë marrë nga vetë demokratët do të vuloste përfundimisht autokracinë në sistemin tonë politik. Demokratët duhet të jenë në numër të lartë atë ditë, jo për Berishën dhe atë çka ai përfaqëson, por për faktin se për herë të parë po e mbledhin vetë Kuvendin dhe se janë zotër të tij. Çdo vendim tjetër (braktisja, apo shkuarja te mbledhja e Bashës), do të ishte fatale për ta. Sfumimi i 11 dhjetorit nga vetë demokratët do të ishte funerali faktik i PD-së.