BLOG, 14 Nëntor 2021, 12:54

Politikanët që pretendojnë t’i ngjajnë Çërçillit, mishërojnë tiparet e tij më të këqia

Politikanët që pretendojnë t’i ngjajnë

Nga Max Hastings/

Një nga kujtimet e preferuara të Meri Soams me babanë e saj, Uinston Çërçill, daton në moshën e tij tepër të thyer. Ajo e pyeti nëse ndiente keqardhje për jetën e tij të jashtëzakonshme. Për shembull, që ai nuk kishte fituar Kryqin e Mbretëreshës Viktoria për trimërinë e treguar në fushën e betejës.

Pas një pauze, ai u përgjigj ngadalë dhe i mallëngjyer:Muado të më pëlqente që im atë… të kishte jetuar aq gjatë … sa të shihte se bëra diçka në jetën time. Ndërkohë, miqtë e Meri Soams, mes të cilëve unë dhe gruaja ime, janë sot mirënjohës që kjo grua magjepsëse, e cila vdiq në vitin 2014, nuk jetoi aq gjatë sa të shihte babain e saj në qendër të një debati  të ri dhe tepër të hidhur pikërisht në vendlindjen e tij.

Prej disa vitesh, kritikët kanë sulmuar atë që ata e shohin si racizmin e Çërçillit, duke i zhvlerësuar meritat e tij. Në fillim të këtij viti, Prijamvada Gopal, anëtare e kolegjit të Universitetit të Kembrixhit që mban titullin e “Luanit të Fundit, mbajti një fjalim me titull “Pasojat e racizmit të zotit Çërçill”.

Këtë vjeshtë, pati një debat të profilit të lartë kur organizata bamirëse “Winston Churchill Memorial Trust, njoftoi ndryshimin e emrit në Churchill Fellowship. Kryeministri Boris Johnson, midis kritikëve të tjerë, u shpreh se ky riemërtim synonte të ulte profilin e paraardhësit të tij të shquar.

Shkrimtari britanik Xhefri Uetkroft sapo ka botuar një artikulli me peshë “Hijet e Çurçillit”, ku ai thotë se pavarësisht gjithë arritjeve të kryeministrit gjatë luftës, trashëgimia e tij ka qenë katastrofike. Mbi të gjitha,e gabuar ishte nxitja që bëri Çërçill që Britania të aspironte për një marrëdhënie të ngushtë me SHBA-në, në vend të Evropës.

Uetkroft shprehet se është i tmerruar nga mënyra sesi emri i Çërçill vazhdon të përmendet sot në mbështetje të katastrofave të njëpasnjëshme të politikës së jashtme të krijuara nga njerëz si ish-kryeministri britanik Toni Bler, dhe presidentët amerikanë Xhorxh W.Bush dhe Donald Trump.

Konservatorët britanikë dhe ata amerikanë nuk lodhen asnjëherë duke i denoncuar bisedimet me kundërshtarët e huaj si “paqëtim”, një term që lidhet në mënyrë të pashlyeshme me dorëzimin anglo-francez të vitit 1938 ndaj Hitlerit në Mynih, dhe që u refuzua në mënyrë të famshme nga Çërçill.

Por në politikën e jashtme, paqëtimi – i konsideruar shpesh si kompromis – mund të jetë një politikë e arsyeshme. Asnjë nga politikanët e sotëm nuk duhet as aspirojë që të mbështillet me mantelin e Çërçillit, as ta portretizojë një armik si pasardhës të linjës së Fyhrerit gjerman, siç bëri Bush me Sadam Huseinin e Irakut.

Duket e habitshmedebatet mbi Çërçillin vlojnë më së shumti në vendin e tij. Ndërkohë, në SHBA, reputacioni i Çërçillit duket i pathyeshëm. Libri i fundit mbi të nga Endrju Roberts i vitit 2018 “Të ecësh përkrah me fatin”, shiti shumë më tepër kopje në SHBA sesa në Britani.

Një dekadë më parë, unë mbajta leksionin e përvitshëm përkujtimor të Çërçillit në Kolegjin Uestminster në Fullton, Misuri – aty ku ish-kryeministri mbajti në vitin 1946 fjalimin mbi “Perden e Hekurt”- për një audiencë shumë më entuziaste se sa do të prisja në anën time të Atlantikut.

Një sondazh i fundit tregoi se shumë nxënës britanikë supozojnë se Çëilli ishte një personazh imagjinar. Ata po rriten me pak ose aspak ide se çfarë bëri ai, pavarësisht përpjekjeve për t`u vlerësuar filmave si “Ora më e errët” i vitit 2017.

Admiruesit amerikanë po hen gjithnjë e më të etur për ta pretenduar Çërçillin (nëna e të cilit ka lindur në Bruklin) si të tyrin, ndërsa britanikët e rinj po ndihen gjithnjë e më në siklet me trashëgiminë që ai ka lënë. Ai ishte një hero që i pëlqente luftërat, dhe ne jetojmë sot atë që nganjëherë quhet epoka “e post-heronjve”, në të cilën ka një neveri të përhapur si ndaj betejave ashtu edhe ndaj luftëtarëve entuziastë.

Edhe unë e gjej veten në mesin e këtij debati. S’ka asnjë dyshim se Çërçill ishte anglezi më i madh i shekullit XX-të, dhe një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave. Por nga ana tjetër ai gaboi mbi shumë gjëra. Ai sponsorizoi fushatën ushtarake katastrofike të Dardaneleve në vitin 1915 në Turqi; kundërshtoi vetëqeverisjen e Indisë; mbështeti Mbretin Eduard VIII në krizën e abdikimit të tij nga froni në viti 1936.

Ndërsa gjatë vitit 1920 ai ka folur ndonjëherë mirë për diktatorin fashist të Italisë, Benito Musolini. Ashtu si shumica e bashkëkohësve të tij, Çurçill ishte një racist i paturpshëm, që i cilësonte fushatat antikoloniale si të egra por t`u armatosur me ide.

Në kohën e Luftës së Dytë Botërore, shumë të rinj britanikë e kuptuan se në lojë ishte fati i Perandorisë. Por jo i kryeministrit. Përballë qëndrimit të tij tejet mizor ndaj zisë së bukës nëBengal në vitin 1943, shkaktoi vdekjen e të paktën 1 milionë njerëzve, sekretari i tij kolonial Leo Ameri shkroi në ditarin e tij:“Lidhur me Indi, Uinston nuk është plotësisht i arsyeshëm.

Ameri dhe kolegët e tjerë të kabinetit u tmerruan kur Çërçill e justifikoi refuzimin e tij për t`i devijuar anijet e transportit për të shtuar furnizimet me ndihma,me deklaratën se bengalezët “duhet të shtrëngojnë rripat e tyre siç kanë bërë njerëzit tanë. Në fakt, racioni ikalorive që merrnin britanikët gjatë kohës së luftës mbeti shumë më e lartë se ai i indianëve, madje edhe ato në rajone që nuk ishin goditur nga uria.

Mijëra indianë u emëruan si oficerë në Ushtrinë Indiane të Britanisë së kohës së luftës, por kryeministri refuzoi t’i lejonte ushtarët britanikë t’u nënshtroheshin urdhrave të tyre. Ai kundërshtoi poshtërimin e urdhërimit nga një burrë me ngjyrëkafe. Pikëpamja e tij mbi indianët, për të mos përmendur afrikanët, mbeti deri në fund të jetës ajo e togerit viktorian të Husarëve.

Sa për burrat dhe gratë e shquara të asaj bote, edhe nëse nuk jemi të gatshëm të pranojmë legjendat apo mitet që na janë transmetuar mbi ta, ne e pranojmë se të gjithë jemi përzierje të së mirës dhe të keqes, siç ishte edhe Çërçilli. Një aspekt i rëndësishëm i gjenialitetit të tij si udhëheqës lufte, siç e përshkruaj në librin tim të vitit 2009, ishte fokusi obsesiv tek lufta, duke përjashtuar gjithçka tjetër.

Ai besonte se mund të aspironte, të ushtronte me efektivitet funksionin e tij si kryekomandant i Britanisë, vetëm nëse i përkushtohej disfatës së Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë. Refuzimi i tij për tu interesuar mbi procesin e rindërtimit pasluftës, i zemëronte ministrat e tij, sidomos kur u bë e qartë se aleatët do ta fitonin atë luftë.

E ardhmja ishte një çështje shqetësimi për shumicën e britanikëve. Por në nëntorin e vitit1942, kur u publikua Raporti Beverixh”, që hodhi themelet për shtetin e mirëqenies sociale në Britani, kryeministri i trajtoi me përbuzje propozimet e tij. Ndaj për shumicën e komandantëve britanikë nuk ishte habitshme që në zgjedhjet parlamentare të vitit 1945, kombi, dhe në fakt shumica e ushtarëve, marinarëve dhe pilotëve, votuan për largimin e Çërçill nga posti i kryeministrit.

Ata e kuptuan se ai nuk ishte lideri i duhur për të ndërtuar Britaninë e re. Pak para votimit, gjenerali më i mirë i kohës së luftës Bill Slim, vizitoi selinë kryeministrore 10 Downing Street pas fitores së tij në Burma, duke ia thënë troç Uinstonit:“Epo, kryeministër, unë di një gjë. Ushtria ime nuk do të votojë për ju!.

Gjatë fushatës elektorale në qershorin e vitit 1945,Çërçilli u brohorit kudo nga njerëz i ishin thellësisht mirënjohës për atë që ai kishte bërë për ta që nga viti 1940. Por kjo nuk ndikoi në vendimin vendimtar të shumicës për të votuar për laburistët. Shumica e britanikëve besonin, sigurisht me të drejtë, se pavarësisht nga arritjet e kaluara, koha e tij kishte mbaruar.

Ndërkohë ishte një lajm i keq për të po ashtu edhe për Britaninë fakti që Çërçill u tregua shumë mendjelehtë kur qëndroi si lider i Partisë Konservatore, edhe pse ishte tashmë 71 vjeç, duke drejtuar edhe një qeveri të dobët konservatore të viteve 1951-1955.

Kur u jap leksione studentëve në të dyja anët e Atlantikut mbi të, befasohem se sa shpesh pyesin: “Ku është “Çërçilli i sotëm? Pse nuk kemi më liderë kombëtarë të nivelit të tij?”Dhe unë përgjigjem:Duhet të jemi mirënjohës që sado të rënda të jenë problemet tonaaktuale, ato nuk janë të llojit që të kërkojnë një lider të tillë në vitin 2021.

Unë i pranoj gabimet e mëdha Çërçillit, por i shoh ato krahas virtyteve të tij po aq të mëdha. Pse për të tjerët është kaq e vështirë të pranohet se rruga e mesme, është ajo ku qëndron e vërteta për shumicën e gjërave në jetë?Shumica prej nesh joshen nga miopia e aktivistëve duan largimin e përmendores së Çërçillit nga Sheshi i Parlamentit në Londër.

Por në sytë e shumicës së atyre që praktikojnë profesionalisht studimin e së kaluarës, leksioni i madh i historisë është se ne duhet ta gjykojmë çdo burrë dhe grua sipas standardeve të kohës së tyre, dhe jo sipas standardeve tona. Uinston Çërçill e zbukuroi planetin tonë midis viteve 18741965 kur jetoi.

Ai nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa Aleksandri i Madh,për tu mësuar udhëheqësve të sotëm mbi politikat kombëtare. Ne duhet të shpërfillim sharlatanët në Uashington dhe Londër,dhe ti jemi shumë mirënjohës për gjithçka bëri gjatë kohës që jetoi.

/“Bloomberg” – Bota.al