BALLKAN, 10 Shtator 2023, 14:30

Takimi me Vuçiçin më 14 shtator, partitë opozitare i kërkojnë Albin Kurtit të raportojë në Kuvend

Takimi me Vuçiçin më 14 shtator, partitë opozitare i

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takojë më 14 shtator Presidentin serb Aleksander Vuçiç.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar që kryeministri Albin Kurti të raportojë në Kuvend para takimit. 

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka deklaruar:  “Unë pres nga kryeministri Kurti të vijë dhe të raportojë në Kuvendin e Kosovës, para takimit me Vuçiçin dhe është mirë që të mos mbajë takime të tjera se duhet të zbatohen marrëveshjet të cilat i ka bërë Kurti, si ajo e Ohrit, si ajo e Bratislavës.

Nga ky takim nuk pres diçka të re për arsye se të gjitha marrëveshjet që janë bërë në kohën e tij ende nuk janë zbatuar. Është marrëveshja për energjinë, është marrëveshja për të pagjeturit ku deri më tash keni parë që nuk ka ndodhur asgjë”.

Deputeti AAK-së, Pal Lekaj, deklaroi se Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të shkonte në takim pa u hequr sanksionet e BE-së. 

Sa i përket Qeverisë së Kosovës nuk duhet të shkojë në dialog në Bruksel pa u hequr sanksionet, mirëpo ja që këta nuk po mendojnë ashtu siç duhet menduar për të mirën e vendit dhe do të jenë në tavolinë me Vuçiçin.

Unë nuk pres nga ky takim diçka pozitive, janë qëndrime të kundërta dhe Vuçiçi pretendon apo kërkon që të implementohet asociacioni me kompetenca ekzekutive. Ndërsa qeveria me të drejtë kërkon njohjen nga Serbia, paraprakisht para se të implementohet asociacioni. Kështu që me një fjalë kemi hyrë në një qorr sokak të dialogut dhe unë nuk shoh ndonjë zgjidhje”, ka thënë ai.