BALLKAN, 25 Nëntor 2022, 19:28

Skadon afati për regjistrim, Lista Serbe bojkoton zgjedhjet lokale në veri të Kosovës

Skadon afati për regjistrim, Lista Serbe bojkoton zgjedhjet lokale në

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka njoftuar Lista Serbe nuk është regjistruar për zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri të Kosovës, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor.

Zgjedhjet do të mbahen në 18 dhjetor në Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, ndërkohë që bëhet me dije se janë gjashtë subjekte politike, të cilat kanë paraqitur aplikimet e tyre.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, ka njoftuar se periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave në veri të vendit, e cila kishte nisur më 15 dhjetor, ka përfunduar ditën e sotme.

“Iniciativa qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për cerifikim për zgjedhjet e katër komunave… Partia e Serbëve të Kosovës (Partia Kosovskih Srba) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Leposaviqit. Është një kandidat i pavarur. Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet për kryetarët e katër komunave. Iniciativa qytetare “Mbijetesa Serbe” (Srpski Opstanak) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, ka njoftuar Elezi.

Elezi ka shtuar se pas pranimit të aplikacioneve, KQZ-ja do t’u drejtohet institucioneve përkatëse kompetente të vendit për të verifikuar kandidatët, nëse ata janë në përputhje me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme. Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve do të zhvillohet deri më 28 nëntor.

Kujtojmë se dorëheqjet e deputetëve të Listës Serbe erdhën pas tensioneve lidhur me reciprocitetin e targave, ku pati një sërë dorëheqjesh edhe në institucione të tjera si polici dhe gjykata.