BALLKAN, 24 Nëntor 2022, 09:14

SHBA-ja mirëpret marrëveshjen Kosovë-Serbi për targat: Palët bënë një hap gjigand përpara

SHBA-ja mirëpret marrëveshjen Kosovë-Serbi për targat:
Ned Price

Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”.

Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve “për t'u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, të cilin Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si “rrugën më e mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”.



Në deklaratë mirëpritet “vendimi i palëve për të vënë interesat e të gjithë qytetarëve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dyja palët bënë një hap gjigand përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin”.


Shtetet e Bashkuara thuhet më tej, përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, tha ndërkaq se pati një bisede të mirë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, shkroi ai në rrjetin Twitter.


Kosova dhe Serbia arritën të mërkurën në mbrëmje një marrëveshje lidhur me çështjen e targave të makinave që përdoren nga qytetarët serbë në veriun e Kosovës, që kishte shtuar shqetësimet për nxitje tensionesh të reja në zonë.

Bashkimi Evropian tha se pas kësaj marrëveshjeje është koha për t'u përqendruar plotësisht në propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, një nismë e cila u bë e njohur si propozimi franko-gjerman, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. 

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me targat në bisedimet ndërmjet kryenegociatorëve të të dy vendeve.

“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t'u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi zoti Borrell.

"Serbia do të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm, mbi propozimin e paraqitur në muajin shtator nga ndërmjetësuesi i BE-së dhe të mbështetur nga Franca dhe Gjermania”, thuhet në një deklaratë të zotit Borrell, në të cilën nënvizohet se “BE-ja do të sigurohet që çështjet dhe parimet kryesore që lidhen me normalizimin do të trajtohen në kontekstin e propozimit. Palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në bisedime duhet të zbatohen”.

Marrëveshja e së mërkurës pasoi një takim prej disa orësh ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç në Bruksel, me ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për bisedimet ndërmjet të dy vendeve, Miroslav Lajçak.

Ajo u arrit disa orës para skadimit të shtyrjes prej 48 orësh të vendimit të qeverisë së Kosovës për gjobitjen e atyre që nuk i kanë ndërruar targat e makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës. Shtyrja u bë me kërkesën amerikane për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e falënderoi ambasadorin amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier dhe qeverinë amerikane “për angazhimin e tyre aktiv në arritjen e marrëveshjes në Bruksel. "Mbështetja e tyre për procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme”, shkroi ajo.

I dërguari evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak, përvec kryenegociatorëve, falënderoi posaçërisht Departamentin amerikan të Shtetit dhe diplomacinë amerikane “për mbështetjen e paçmueshme”.

Të hënën në Bruksel kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk arritën ndonjë përparim dhe zoti Borrel tha se palët janë përgjegjëse për çdo përshkallëzim, ndërsa fajin kryesor ia përshkroi Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kritikoi zotin Borrell për siç tha, ndryshim të agjendës dhe largimin nga tryeza e diskutimeve të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke ju përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për “Propozimin e Bashkimit Evropian”, por për targat”, tha ai.

Me 1 nëntor qeveria e Kosovës filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për shtyrjen e afatit.

Punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase me 4 nëntor ndërsa të mërkurën pati protesta në veriun e Mitrovicës dhe në Graçanicë afër Prishtinës kundër vendimeve të qeverisë qendrore në Prishtinë.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha pas marrëveshjes së “është ruajtur paqja dhe qëndrueshmëria” dhe se pronarët e makinave më targa të lëshuara nga Serbia nuk kanë arsye të kenë frikë nga gjobat.

“Ato do të vazhdojnë të jenë në përdorim si deri më tani. Kjo do të thotë, ndër të tjera, se absolutisht të gjithë pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM. I vetmi vend ku do të ndalemi, do të ndalim lëshimin e targave fizike tërësisht të reja KM deri në momentin kur të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për targat”, tha ai.