BALLKAN, 24 Nëntor 2022, 14:05

Albin Kurti për targat: U arrit dakordësi, jo marrëveshje

Albin Kurti për targat: U arrit dakordësi, jo marrëveshje

Për të gjithë ata që kanë menduar se Marrëveshja për de-eskalim e arritur në Bruksel të cilën e pranoi Kosova, është e njëjtë me atë të së hënës të cilën e refuzoi, kryeministri Albin Kurti ka lajme të tjera.

Kurti, që nuk i referohet si marrëveshje po si dokument, tha se ka dallime esenciale.

“Paragrafi i parë i marrëveshjes që u arri të hënën nuk ka qenë, kjo është një arritje e madhe”, deklaroi ai në sallën e Kuvendit të Kosovës, derisa shpjegoi “dallimet esenciale”.

“Të hënën në mbrëmje mua më është ofruar një dokument që i ka pasur 95 fjalë dhe fjala Francë dhe Gjermani s’kanë qenë askund. Dhe nuk i referohet propozimit franko-gjerman, përveç çështjes së targave. Nuk thuhej propozimi, por vetëm do zgjidhet çështja e targave. Kurse kjo që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë”, tha kryeministri.

Prandaj, “ata që thonë ajo që nuk është pranuar të hënën është pranuara të mërkurën, nuk e dinë se për çfarë po flasin”.

“Dhe nuk është marrëveshje, është dakordim por jo marrëveshje. Ajo çfarë është bërë mbrëmë, është ndryshuar deklarata e Borrellit, ne s’kemi ndryshuar qëndrim, Borrell e ka ndryshuar deklaratën”.

Prandaj, “nuk është marrëveshje për targat, veç u dakorduam të ndalojmë veprimet në mënyrë reciproke”.

Kurti u është përgjigjur edhe akuzave të atyre që thonë se Kosova po i pranon marrëveshjet paraprake, rrjedhimisht edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne kemi pranuar që marrëveshjet e Brukselit janë element i fushë-veprimit të planit franko- gjerman në tërësinë dhe ambiguitetin e tyre bashkërisht. Dakordimi ynë është një njohje të pozicionit evropian e jo qëndrim ndaj diçkaje tjetër”, pohoi Kurti, derisa fajësoi – përsëri – qeveritë e kaluara.

“Ne nuk pajtohemi me të kaluarën, por trashëgimia e qeverive të kaluara është shndërruar në pozicion zyrtar të vetë Bashkimit Evropian. Pra, trashëgimia e marrëveshjeve është pozicion i Bashkimit Evropian”.

Krejt në fund, pasi i akuzoi për trashëgiminë e rëndë, Kurti u kërkoi bashkëpunim opozitës.

“Na kemi nevojë për mbështetjen e juaj. Kemi nevojë për diskutim. Jam i gatshëm ta bëj. Për shkak se nuk dua të eci vetëm, është përtej cilitdo prej neve, përtej këtij mandati qeverisës”.