BALLKAN, 25 Nëntor 2022, 17:36

Lirimi i infermiereve që rrahën nënën e dëshmorit të UÇK-së, reagon vajza e të moshuarës: Gjykata “e dhunoi” për të dytën herë

Lirimi i infermiereve që rrahën nënën e dëshmorit

Vajza e të moshuarës që u dhunua në azilin në Pejë, Zhaneta Nura, ka reaguar pas lirimit të tre infermiereve nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Nura në një postim në Facebook ka shkruar se vendimi për lirimin e të pandehurave nga paraburgimi ditën e sotme, vetëm sa e ka thelluar plagën.

“Vendimi për lirimin e të pandehurave nga paraburgimi ditën e sotme nga Gjykata Supreme e Kosovës, plagën tonë në zemër vetëm sa e ka thelluar. Shoku i shkaktuar nga pamjet e dhunës që i ushtrohet nënës time, për ‘Gjykatën Supreme’ paska qenë lehtë i gëlltitshim dhe me këtë veprim kjo gjykatë ‘dhunoi’ për të dytën herë nënën time!”, shkruan Zhaneta.

Edhe avokati i familjes së të moshuarës, Meshari Selimaj, ka reaguar duke thënë se, sot besimi në drejtësi për këtë rast u shua.

“Vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi i të pandehurave në këtë fazë të procedurës, ku akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore dhe akoma ekziston rreziku i madh që të ndikohet në ndryshimin dhe asgjësimin e provave, është tregues i qartë se cilat janë tendencat për trajtimin e mëtutjeshëm të këtij rasti, relativizimi i tij, dhe në fund lirimi nga aktakuza apo shqiptimi i ndonjë dënimi me gjobë. Me ditën e sotme besimi në drejtësi për këtë rast u shua”, deklaroi ai.

Kujtojmë se ndaj tre infermiereve, Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi, ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji më 2 nëntor nga Gjykata e Pejës.

Ngjarja e rëndë e cila shokoi opinionin publik ndodhi në fillim të muajit nëntor, në shtëpinë e të moshuarve në Pejë.

Në pamjet e publikuara gjerësisht në rrjetet sociale dhe që shkaktuan reagime të shumta neverie për gjestin e shëmtuar, dukeshin disa punonjëse të kësaj shtëpie që kanë sulmuar fizikisht një grua të moshuar, ndërsa njëra prej tyre e ka goditur me shuplaka vazhdimisht.

“Pak jam tu ja hi, qysh di me sjell unë”, dëgjohej infermierja e cila filmohej nga kolgeia e saj teksa qeshte dhe e godiste me shpulla të moshuarën e cila qante.