BALLKAN, 15 Mars 2025, 13:49

Shfaqen burra të maskuar me të zeza mes protestuesve në Beograd, mbahen 15 minuta heshtje për viktimat e Novi Sadit, çfarë po ndodh në Serbi

Shfaqen burra të maskuar me të zeza mes protestuesve në Beograd,

Qindra mijëra njerëz janë mbledhur sot në Beograd për protestën e madhe të thirrur nën sloganin “15 për 15”, që i referohet numrin të njerëzve që humbën jetën nga incidenti në stacionin e trenit në Novi Sad, e cila do të nisë nga ora 16:00.

Përpos tyre, në Parkun Pionieri, që gjendet mes të Presidencës së Serbisë dhe Kuvendit të Serbisë, janë vendosur në kampe një grup tjetër studentësh që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve. Ata e quajtën veten “Studentët 2.0” dhe thanë se janë “studentët që duan të mësojnë”.

Mediumi serb “Nova.rs” ka raportuar se në Parkun Pionieri kanë arritur burra të maskuar me të zeza. Dhjetëra prej tyre janë filmuar mëngjesin e sotëm.

Shfaqen burra të maskuar me të zeza mes protestuesve në Beograd,

Studentët kanë mbajtur 15 minuta heshtje në disa pjesë të Beogradit, si shenjë përkujtimi për 15 viktimat e Novi Sadit.

Ky akt përsëritet çdo ditë nëpër Serbi në orën 11:52 - kohën e saktë kur është rrëzuar streha prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) se janë regjistruar disa incidente në Beograd përgjatë natës, dhe që 13 persona janë ndaluar.

“Disa janë ndaluar për prishje të rendit publik. Të gjitha këto incidente janë drejtuar kah Parku i Pionierit. Shumica e traktorëve janë dëmtuar. Ka pasur tentime për t’ua vënë zjarrin traktorëve”, ka thënë Daçiç.

Rreth 10 ditë para protestës, një grup i quajtur “Studentët 2.0” është mbledhur në Parkun e Pionierit në Beograd, duke kërkuar që t’iu jepet fund bllokadave në fakultete.

Ata e quajnë veten “studentët që duan të mësojnë”.

Disa e fajësojnë partinë në pushtet të presidentit serb, Aleksndar Vuçiç, Partinë Përparimtare Serbe se qëndron mbrapa protestave të studentëve që janë mbledhur në park.