BALLKAN, 24 Maj 2022, 13:52

Sërish kërcënim me bombë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës

Sërish kërcënim me bombë në Rektoratin e Universitetit

Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sërish ka pranuar një kërcënim për shpërthime.

Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se më 24 maj, rreth orës 12:00 kanë pranuar informatën se dyshohet për shpërthime të mundshme në Rektoratin e UP-së.

“Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, thanë nga Policia e Kosovës.

Kjo është hera e dytë që Rektorati, përmes postës elektronike, kërcënohet për shpërthime.

Më 17 maj, policia tha se alarmi për bombë në Rektorat kishte qenë i rremë. Ndërkaq, më 18 maj, kërcënime të ngjashme, që dolën të rreme, ishin bërë edhe në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Së fundmi, përveç në Kosovë, edhe në Serbi, Mal të Zi janë raportuar kërcënime të rreme për bomba në shkolla, konvikte, qendra tregtare, spitale etj./REL