BALLKAN, 22 Maj 2022, 12:36

Ambasadori amerikan: Kosova dhe Ukraina janë situata të ndryshme, Serbia duhet të vendosë për rrugën evropiane

Ambasadori amerikan: Kosova dhe Ukraina janë situata të ndryshme,

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Ukraina dhe Kosova janë “situata shumë të ndryshme”, dhe bëri thirrje që ajo që ndodhi në Kosovë në vitin 1999 të mos lidhet me atë që po ndodh sot në Ukrainë.

“Kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë, ato janë vende fqinje. Serbët jetojnë në Kosovë dhe ka shumë gjëra në Kosovë që janë të rëndësishme për Serbinë. Fqinjët e mirë duhet ta zgjidhin këtë. Mënyra e duhur është dialogu dhe negociatat me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel”, tha Hill në një intervistë për Politika.

Ai deklaroi se beson se të gjithë elementët duhet të jenë në tryezën e bisedimeve dhe se nuk mund të flitet “dua të flas për këtë, por nuk do të flas për këtë”.

“Nëse flasim për integrimet euroatlantike, ato janë gjithashtu një element në atë tryezë të bisedimeve. Kur negocion, njëra palë dëshiron një gjë, pala tjetër dëshiron diçka tjetër, por atëherë duhet të flasësh për këtë. Unë jam i dekurajuar kur shoh që njëra palë dëshiron një gjë dhe ajo nuk dëshiron atë që pala tjetër dëshiron të jetë në tryezën e negociatave”, theksoi Hill.

Hill shtoi se zgjedhjet duhet të bëhen në jetë dhe se ky është një moment i tillë dhe se Serbia ka vetëm një rrugë, ajo është Perëndimi dhe Bashkimi Evropian.

“Për dallim nga e kaluara, kur në Serbi mendohej se ekziston një rrugë e tretë se Serbia nuk është as lindje e as perëndim, se është disi e veçantë, se shkon në rrugën e vet, tani shumica e serbëve mendojnë se ka një rrugë të drejtë dhe duan të zgjedhin rrugën e duhur”, pohoi Hill.

Siç tha ai, Serbia duhet të vendosë nëse dëshiron të ketë “një ushtri të vetë-mjaftueshme dhe të blejë armë nga vende të ndryshme, apo t’i bashkohet mbrojtjes kolektive”.

“Serbët duhet ta vendosin këtë, dhe mendoj se kanë vendosur që e ardhmja e tyre të jetë në Perëndim dhe jo në ndonjë Lindje të padefinuar. Të gjitha këto e them në bazë të asaj që dëgjoj çdo ditë nga njerëzit, por edhe në bazë të deklaratave nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç”, tha Hill.