BALLKAN, 23 Maj 2022, 21:34

Kritikat e kryeministrit grek për Turqinë, zotohet Erdogan: Nuk do takojë më kurrë Mitsotakis!

Kritikat e kryeministrit grek për Turqinë, zotohet Erdogan: Nuk do

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të hënën se nuk ka ndërmend të takohet më me Kyriakos Mitsotakis, pas kritikave të këtij të fundit ndaj Turqisë në vizitën e tij të fundit në Shtetet e Bashkuara.

“Për mua, nuk ka Mitsotakis. Nuk do të takohem më kurrë me të”, thuhet të ketë thënë presidenti turk pas një mbledhjeje të kabinetit.

“Si po na trajton Greqia në këtë moment? A nuk është Greqia një destinacion për organizatën FETO për momentin?” pyeti Erdogan, duke iu referuar lëvizjes Gylen, një organizatë që Turqia e përcakton si terroriste.

“Aktualisht në Greqi janë 10 baza. Pse po krijohen këto baza në Greqi? Kundër kujt? Për momentin Greqia u detyrohet 400 miliardë euro vendeve evropiane,” vazhdoi ai.

“Mitsotakis le të mendojë për të ardhmen. Ne jemi të vetë-mjaftueshëm. Jemi përballë një Greqie që i propozon SHBA-ve ‘të mos i japin F-16 Turqisë’. Shtetet e Bashkuara ndoshta nuk do të veprojnë në përputhje me fjalët e Greqisë”, tha ai.