BALLKAN, 22 Maj 2022, 14:46

Lufta me Rusinë/ Në Kosovë arrijnë edhe dy gazetarë ukrainas

Lufta me Rusinë/ Në Kosovë arrijnë edhe dy gazetarë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka bërë të ditur që të dielën në Prishtinë kanë arritur dy gazetarë ukrainas, Serhii Shevchenko dhe Liudmyla Mekh, të cilët do të mund të ushtrojnë profesionin e tyre nga distanca, pas shpërthimit të luftës në vendin e tyre.

Më 17 prill, autoritetet e Kosovës kanë mirëpritur edhe Lyudmila Makeyn, gazetaren e parë ukrainase që ka arritur në këtë shtet.

Të tre gazetarët qëndrojnë në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët me Rezidencë në Kosovë (Journalist in Residence in Kosovo)”.

Ky program është iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur në muajin mars se është e gatshme të strehojë 20 gazetare ukrainas andaj ka ndarë 150,000 euro për strehimin e tyre gjashtëmujor.

“Gazetarët veteranë kanë punuar në media të ndryshme në Ukrainë, dhe janë pjesë aktive e Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës (NUJU). Zonja Mekh është themeluese dhe presidente e Fondacionit ‘Iniciativa e Gazetarëve’, me bazë në kryeqytetin ukrainas, Kiev”, është në njoftimin e AGK-së në Facebook.

AGK ka thënë më herët se programi i financuar nga Qeveria e Kosovës u mundëson gazetarëve ukrainas pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë.

Qeveria e Kosovës ka vënë sanksione kundër Rusisë, në linjë me Perëndimin, si dhe ka shprehur gatishmëri edhe për strehimin e rreth 5,000 qytetarëve ukrainas që i ikin luftës./REL