BALLKAN, 19 Mars 2023, 11:12

Kryetari i LDK-së për takimin në Ohër: Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike, ky është epilogu i Kurtit në dialog

Kryetari i LDK-së për takimin në Ohër: Mashtrim dhe humbje e

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar mbrëmë pas dakordësimit mes Kosovës dhe Serbisë mbi aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Abdixhiku e ka cilësuar epilogun e Kurtit në dialog, si mashtrim dhe një humbje historike.

“Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike – ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka shtuar se përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot.

“Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më”, u shpreh i pari i LDK-së.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas përfundimit të takimit 12 orësh në Ohër, ka njoftuar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.

Në një deklarim për media, Borrell ka thënë se si pjesë e këtij aneksi, palët janë pajtuar që të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian, për përmbajtjen e të cilit palët janë dakordësuar në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.