BALLKAN, 1 Maj 2025, 16:22

Dështoi për të nëntën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ja kur do të mblidhet seanca e radhës

Dështoi për të nëntën herë konstituimi i Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar për vazhdimin e seancës konstituive që u ndërpre sot pasi propozimi i Avni Deharit për të ndryshuar formën e votimit nuk mori votat e mjaftueshme.

“Nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari, ka vijuar sot punimet seanca konstituive e Kuvendit. Në fillim të seancës kryesuesi Dehari tha se pas disa dështimeve për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe marrë parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, për çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, konkretisht paragrafin 124, ku thuhet se votimi mund të jetë i formës së hapur, i fshehtë apo i çfarëdo forme tjetër, bazuar edhe në Rregulloren e punës së Kuvendit dhe me qëllim të hapjes rrugë për zhbllokimin e procesit, forma e duhur që mund të hapë rrugën për konstituimin e Kuvendit është votimi në mënyrë të fshehtë, me fletëvotime fizike” – thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet gjithashtu se Dehari i ftoi partitë politike që të propozojnë nga një deputet për anëtar të komisionit të votimit, mirëpo PDK, LDK e AAK e kundërshtuan këtë. Propozimi i Deharit mori 55 vota, të pamjaftueshme për të kaluar.

“Pas procedurës së votimit për përbërjen e komisionit, kryesuesi Dehari konstatoi se 55 deputetët kanë votuar pro, një kundër, ndërsa nuk ka abstenuar asnjë.”

Seanca konstituive do të vazhdojë të shtunën, më 3 maj, në orën 10:00.