TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor kanë nisur të japin rezultatet e para, me ashpërsimin e masave administrative për përdoruesit e rrugës që konstatohen në shkelje. Për disa vepra penale, masat shkojnë deri në pezullimin e lejes së drejtimit apo heqjen e saj në mënyrë të përhershme. Një nga masat më të rëndësishme parashikon shtyrjen deri në një vit të së drejtës për t’u pajisur me leje drejtimi për personat që kapen duke drejtuar automjetin pa patentë. Për të miturit, kjo periudhë shkon deri në dy vjet.
Detajet mbi ndryshimet në Kodin Rrugor u bënë të ditura nga drejtori i Policisë Rrugore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Perlat Vatoci. Sipas tij, janë ashpërsuar edhe masat për drejtuesit që përsërisin shkeljet nën efektin e alkoolit.
“Hiqet patenta në mënyrë të përhershme për drejtuesit që rezultojnë me mbi 0.5 gram alkool për litër gjak dhe janë ndëshkuar më parë për drejtim nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur”, tha Vatoci. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu rritje të gjobave për manovrat e rrezikshme, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe shkeljet që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës, veçanërisht në zonat urbane, pranë shkollave dhe kryqëzimeve. Për këto shkelje, gjobat variojnë nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Pesë radarë në zonën e TEG-ut
Zona e rrethrrotullimit të TEG-ut është një nga akset ku shpejtësia tej normave të lejuara dhe manovrat e rrezikshme kanë shkaktuar një numër të konsiderueshëm aksidentesh, disa prej tyre me pasoja të rënda.
Në këtë zonë, numri i radarëve lëvizës është rritur nga tre në pesë, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të drejtuesve të mjeteve.
Një tjetër masë e re lidhet me përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor. “Ndërsa për drejtuesit e automjeteve, patenta pezullohet nëse ndëshkohen dy herë brenda një viti për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit”, u shpreh drejtori i Policisë Rrugore.
Ndryshime të posaçme parashikohen edhe për drejtuesit e rinj, të cilët e kanë marrë patentën gjatë 24 muajve të fundit. Për këtë kategori vendosen kufizime të veçanta sa i takon konsumimit të alkoolit dhe shpejtësisë. Në një nga akset ku po monitorohet respektimi i kufijve të shpejtësisë, shpejtësia e lejuar është deri në 80 km/h. Radari i vendosur në këtë segment funksionon në mënyrë automatike, çka do të thotë se shkeljet e konstatuara kalojnë automatikisht në sistem, pa pasur nevojë për ndërhyrjen e efektivëve.
Ndryshimet e reja në Kodin Rrugor sjellin masa më të ashpra edhe për tejkalimin e kufirit të shpejtësisë. Në rastet kur shpejtësia tejkalohet me të paktën 30 km/h mbi kufirin e përcaktuar, përveç gjobës mund të aplikohet edhe pezullimi i lejes së drejtimit, ndërsa në rastet më të rënda masa mund të shkojë deri në heqjen e patentës.
Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit dhe të shmangin manovrat e rrezikshme. Sipas Policisë së Shtetit, qëllimi i masave të reja nuk është ndëshkimi, por parandalimi i shkeljeve dhe aksidenteve, si dhe mbi të gjitha mbrojtja e jetës së përdoruesve të rrugës.