AKTUALITET, 1 October 2026, 10:52

Arrestimi i ish kreut të SHISH/ Përfundon Konferenca e Kryetarëve, rrëzohet kërkesa e opozitës për mocion me debat. Replikat Bardhi-Balla

Ka përfunduar mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, e cila me votat e mazhorances rrëzoi kërkesën e opozitës për mocion me debat per Vlora Hysenin.

Opozita kërkoi që çështja të shqyrtohet në Parlament, duke vënë në fokus përgjegjësitë institucionale që lidhen me emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e ish-drejtoreshës së SHISH-it.

Nga ana tjetër, mazhoranca argumentoi se çështja duhet t’u lihet institucioneve të drejtësisë, përkatësisht SPAK-ut dhe gjykatës, të cilat duhet të vijojnë procedurat sipas kompetencave të tyre. Sipas këtij qëndrimi, kërkesa e opozitës për mocion me debat nuk u mbështet.

Balla: SPAK të hetojë deri në fund, Kuvendi nuk mund të dublojë prokurorinë

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ku po diskutiohet kërkesa e PD për mocion me debat për arrestin ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, krue i grupit të PS, Taulant Balla përsëriti edhe njëherë qëndrimin e mazhorancës se përgjegjësia e saj penale është individuale. Ai theksoi se çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund dhe SPAK të bëjë punën pa ndërhyrje. Lidhur më kërkesën e PD për debat, Balla tha se Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale.

Balla: Qëndrimi ynë, lidhur me hetimet mbi ish-drejtoren e Shërbimit Informativ ne presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK, të cilët duhen lënë të bëjnë punën e tyre pa asnjë ndërhyrje apo mbivendosje, përmes procesit të pavarur të hetimit dhe të gjykimit. Rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik. Sipas jurisprudencës së konsoliduar tanimë të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale.

Falë kësaj shumice qeverisëse, me kurajo e me vendosmëri i është hapur rruga drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.  As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.

Jo më larg se dje Ursula von der Leyen konfirmoi “Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit”. Prandaj ta lemë sistemin të bëjë punën e vet. Asnjë instrument kontrolli parlamentar, nga mocioni me debat deri tek komisioni hetimor parlamentar, nuk mund ta zëvendësojë, ta ndikojë, ta kushtëzojë apo pengojë hetimin e plotë dhe të pavarur nga prokurorët e SPAK. Dua të ripërsëris këtu se çdo sulm personal ndaj prokurorëve të SPAK, të cilët meritojnë respekt për punën e tyre, duhet të ndalet. Rituali i turpit në dy të hëna të muajit nga një i pandehur para dyerve të SPAK, duhet të ndalet. Forca politike, brenda së cilës militon ky person, duhet ta bëjë debatin e parë brenda vetes për këtë çështje.

Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye. Qëndrimi ynë mbetet ai që kemi thënë ditën e parë të Reformës në Drejtësi: Pafajësia ose fajësia e një zyrtari, edhe pse i propozuar, mbështetur apo votuar prej nesh, i vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.

Shkarkimi i menjëhershëm nga detyra i drejtores së shërbimit ishte pikërisht shembulli i kësaj qasje nga ana jonë. Ndërkohë që të gjitha institucionet që ngarkon ligji:

Kryeministri → varësia institucionale

Komisioni i Kuvendit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes → mbikëqyrja parlamentare

Presidenti → raportim + kompetenca mbi drejtimin

Inspektori i Përgjithshëm → inspektim i veprimtarisë

KLSH/Auditimi → kontroll financiar

Prokuroria/Gjykata → kontroll ligjor/judicial në fushat përkatëse

Kjo është një çështje që unë i duhet lënë prokurorisë dhe gjykatës, jo leximit sporadik të materialeve hetimore që nxirren për të bërë çorap opinionin publik. Procesi do të tregojë nëse ka apo jo gjëra që kanë cenuar çfarëdoqoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo në lidhje me partnerët tanë.

Bardhi i përgjigjet Ballës: Nuk po pengojmë drejtësinë, SPAK po bën punën e vet

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi i është kundërpërgjigjur Taulant ballës i cili tha se Kuvendi nuk mund të dublikojë rolin e prokurorisë, referuar kërkesës së opozitës për mocion me debat për arrestin e ish-kreut të SHISH. Bardhi tha se SPAK po bën punë e vet dhe se kërkesa për mocion me debat nuk i pengon hetimet e drejtësisë.

"Thoni: do lëmë drejtësinë të hetojë. Po kush po e pengon drejtësinë? Drejtësia e ka punën e vet. Kuvendi ka punën e vet. Jo. Nuk kemi kërkuar ne as të marrim në pyetje prokurorët, as të marrim të dhëna nga dosja hetimore, se është sekret hetimor, as të pengojmë prokurorinë në këtë çështje. Kemi kërkuar të diskutojmë çështje që janë kompetencë e institucionit që ky Kuvend kontrollon.

Gazment Bardhi: Mendoj se parafolësi është i lumtur për këtë çështje. Sepse ka arsye të jetë i lumtur për zhvillimet e fundit dhe arsyet dihen. Por, me sa kuptoj, lumturinë e tij ia prish halli i Edi Ramës dhe bëhet edhe ai i palumtur kot, sepse unë besoj që ka arsye të gëzohet.

Së dyti, mocioni për debat që kërkon opozita nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë po bën prokuroria. Nuk ka asnjë rresht në kërkesën tonë për zhvillimin e mocionit që i referohet hetimeve të prokurorisë. Por ne jetojmë në Shqipëri, ka një akt të Kryeministrit dhe të Presidentit që ka dekretuar shkarkimin e shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror, sepse, sipas informacioneve, aq sa ç’kanë rrjedhur nga hetimet e prokurorisë, rezulton që të ketë ndihmuar një person në kërkim nga drejtësia dhe ta ketë furnizuar atë me informacione të klasifikuara dhe bëhet fjalë për një person, kreun e një grupi të strukturuar kriminal.

Tani nuk bëhet fjalë për një kriminel ordiner. Është absurde të thuash që çdo institucion tjetër ka rol në këtë diskutim, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të shmanget nga ky diskutim. Nuk mund të ndodhë kjo. Ngjarja që ka ndodhur, nuk e di, e kuptoni apo jo, por është një ngjarje që mund të ndodhë njëherë në 100 vite. Si rregull, nuk duhet të ndodhë fare në një shtet normal, por mund të ndodhë një herë në 100 vite që shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror të vihet në dispozicion të kreut të një grupi të strukturuar kriminal. Dhe kjo gjë nuk erdhi në mungesë informacioni. Opozita e ka thënë këtë informacion prej të paktën dy vitesh e gjysmë.

Dhe ju keni bërë një qasje: institucionit, institucionit, institucionit! Cilët institucione? Institucionet që janë përgjegjëse për situatën. Po ç’hyn SPAK-u te kërkesa jonë për mocion me debat? Ne kemi kërkuar mocion me debat. Ç’punë kemi ne me SPAK-un? SPAK-u është duke e bërë punën e vet dhe, po të duam ne ta ndalojmë, nuk e ndalojmë dot! Po të doni ju, domethënë.

Kur kishit në dorë për të penguar, siç ishte rasti i Belinda Ballukut, i zbrazëm të gjithë bateritë tuaja. 82 vota, për të penguar Prokurorinë e Posaçme që të hetonte në mënyrë të pavarur. Ai shefi juaj që na e tha se ju nuk pengoni! E penguam pra në mars, të gjithë ju që jeni këtu, përjashto dy a tre veta nga grupi juaj parlamentar, ngritët dorën për të penguar një kërkesë procedurale të prokurorisë për të arrestuar Belinda Ballukun.

Pra, kur ju e keni në dorë, pengoni. Te Vlora s’keni gjë në dorë. Nuk vjen te Kuvendi ajo, se po të kishit dorë, ishin bërë barrikada tek dera hyrëse e Kuvendit. S’kishit lënë prokurorë që të hynte këtu. E kishit futur Vlorën brenda e kishit mbyllur te zyra e Nikos dhe e kishit marrë në mbrojtje, s’ka asnjë diskutim kjo! Po këtu s’keni gjë në dorë. Fatmirësisht.

Thoni: do lëmë drejtësinë të hetojë. Po kush po e pengon drejtësinë? Drejtësia e ka punën e vet. Kuvendi ka punën e vet. Jo. Nuk kemi kërkuar ne as të marrim në pyetje prokurorët, as të marrim të dhëna nga dosja hetimore, se është sekret hetimor, as të pengojmë prokurorinë në këtë çështje. Kemi kërkuar të diskutojmë çështje që janë kompetencë e institucionit që ky Kuvend kontrollon.

A ka përgjegjësi Kryeministri në këtë rast? Po pse vetëm prokuroria e ka për detyrë të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar? Po e gjithë pjesa tjetër e sistemit, SHISH, Policia, Ministria e Brendshme, a kanë për detyrë ta luftojnë korrupsionin edhe krimin e organizuar? E ka përgjegjësi Kryeministri për të luftuar edhe korrupsionin edhe krimin e organizuar. Ka përgjegjësi ekzekutive për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Dhe kur të vjen parlamenti, opozita dhe të thotë: shefin e shërbimit që, në ditën e emërimit, shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror, ta ka emëruar një eksponent që rri nga mëngjesi deri në darkë në krimin e organizuar dhe ka të dhëna të besuara që shefja e shërbimit është vënë në shërbim të grupeve kriminale. Çfarë bëtë ju?

Vlorën e ka emëruar Edi Rama. Duhet të vijë të japë llogari Edi Rama. Dhe Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të lejohet të ushtrojë funksionet e veta.

Ju nuk njihni sigurinë kombëtare. Ju njihni sigurinë e Gysit. Ne themi: hajde e flasim për sigurinë kombëtare. Ju thoni jo! Sigurinë kombëtare ia kemi besuar Gysit. Nxirrni Gysin nga burgu dhe mërojeni nënkryetar, dhe e plotësoni këtë gjë. I jepni zgjidhje!

Kryeministër, të vijë dhe të ma thotë cili shërbim i huaj ia kërkoi Vlora Hysenin në krye të SHISH-it. Sepse mund të jetë edhe shërbimi informativ serb. Prandaj do të duhet të vijë ta thotë këtu cili shërbim", tha Bardhi.