AKTUALITET, 30 September 2026, 20:56

Partitë shqiptare të Luginës me listë të përbashkët në zgjedhjet e Serbisë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë: Pjekuri politike, përfaqësimi kërkon unitet

Partitë dhe subjektet politike shqiptare në Luginën e Preshevës do të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026 në Serbi, e cila do të quhet “Koalicioni Shqiptar”.

Marrëveshja mes faktorëve politikë shqiptarë është përshëndetur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila e ka cilësuar vendimin si një dëshmi të përgjegjshmërisë dhe pjekurisë politike.

Përmes reagimit të saj, Ministria e Jashtme thekson rëndësinë e bashkimit dhe koordinimit të përfaqësimit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ministria vlerëson se një zë i përbashkët mund të forcojë përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e Serbisë dhe të rrisë peshën e tyre në proceset vendimmarrëse.

Shqipëria shprehet gjithashtu se do të vijojë të mbështesë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfaqësimin e drejtë dhe barazinë para ligjit.

Në fokus të mbështetjes së deklaruar nga Tirana janë edhe zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i komunitetit shqiptar në këtë zonë.

Njoftimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përshëndet arritjen e marrëveshjes për paraqitjen e një liste të përbashkët të partive dhe subjekteve politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026 në Serbi dhe përgëzon të gjithë faktorët politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës për përgjegjshmërinë, pjekurinë politike dhe vizionin që dëshmuan me këtë vendim.

Ky veprim përcjell një mesazh të qartë: interesat e shqiptarëve mbrohen më mirë kur përfaqësimi i tyre politik është i bashkuar, i koordinuar dhe i vendosur. Përfaqësimi dinjitoz dhe efektiv në institucionet e vendit ku jetojnë kërkon unitet, përgjegjësi dhe një qëndrim të përbashkët për çështjet që prekin drejtpërdrejt të drejtat, mirëqenien dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e #Preshevës.

Kjo listë e përbashkët duhet të shërbejë si dëshmi se kur bashkohet zëri politik, forcohet përfaqësimi; dhe kur forcohet përfaqësimi, mbrohen më mirë interesat e qytetarëve dhe rritet pesha e tyre në proceset vendimmarrëse.

Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë me vendosmëri të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfaqësimin e tyre të drejtë, barazinë e plotë para ligjit, si dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të komunitetit shqiptar.