AKTUALITET, 24 Shkurt 2024, 11:23

"Zgjidhja nuk ishte vrasja", sociologu për ngjarjen në Durrës: Familja shqiptare është zhytur thellë në kriminalitet

"Zgjidhja nuk ishte vrasja", sociologu për ngjarjen në

Sociologu, Gëzim Tushi, ka komentuar ngjarjen e rëndë që u raportua mëngjesin e kësaj të premte në fshatin Shënvlash të Durrësit, ku 19-vjeçarja Hygerta Meta vrau babanë e saj, Pëllumb Meta 49-vjeç, dhe e groposi në oborrin e shtëpisë.

Sociologu e ka cilësuar rastin si një ngjarje e përbindshme.

Tushi tha për News 24 se familja shqiptare ka dalë nga shinat dhe është zhytur thellë në kriminalitetit, ndërsa shtoi se edhe shteti duhet të bëjë më shumë.

"Ngjarja është e përbindshme. Vetëm në letërsi mund të kemi lexuar të tilla strategji të krimit. Pavarësisht shkaqeve, krimi është makabër. Familja shqiptare ka dalë nga shinat. Ky institucion që duhet të ishte më solidari, është kthyer në një çerdhe gjarpërinjsh, ku gëlojnë konflikte nga më të ndryshmet. Shoqëria shqiptare ka një larmishmëri të krimit në familje. Krimi në familje është bërë si buka e përditshme. Jemi adoptuar me kulturën e krimit. A e kuptoni se çfarë do të thotë që shoqëria është mësuar me këto krime? 80 deri në 90 përqind e krimeve bëhen brenda familjes dhe është tronditëse, është trend global.

Ne kemi krime të shtuara, aq sa është kthyer në glob si trend që sa herë ka ngjarje të rënda, thuhet se është ‘krim ballkanik’. Shoqërisë shqiptare i janë shqepur tegelat socialë. Krimet brenda familjes janë turp i madh social. Gjërat mund të zgjidhen jo me helm e me armë, por mund të zgjidhet me komunikim. Në Perëndim zgjidhet problemi me komunikim ose me ligj, ndërsa tek ne zgjidhet individualisht e kjo është e gabuar. Është dhe problemi i shtetit. Dhuna në familje nuk denoncohet, është plagë e rëndë sociale. Shteti të mbështesë familjen. Shkaqet janë varfëria, kornizat sociale, lakmia për pasurim etj", tha Tushi.

Sipas Tushit, edhe pse në familjen Meta, nuk kishte demokraci të brendshme, kjo nuk ishte zgjidhja. Ai shprehet se në botën e qytetëruar, problemet zgjidhen me komunikim ose në mënyrë ligjore.

"Demokratizimi i familjes shqiptare nuk ka përfshirë gjitha familjet. Familja shqiptare nuk vetëm është ajo metropolitane në Tiranë, por edhe aty ka probleme. Ka familje autoritariste, janë familje ku sundohet, ku nuk ka demokraci, ku sundohet, në linjën maskiliste. Babai ka krijuar linjë familjare si mesjetare. Një nga arsyet e krimit është se kush e ka pushtetin në familje. Babai donte të bënte çfarë të bënte.

Familjarët ishin në burg. Por, kjo nuk është zgjidhja. Ne na mungon policia komunitare. Duhet vlerësuar rasti dhe në përputhje me vlerësimin e rastit, do të bëhej edhe ndërhyrja, që të shmangej krimi. Ngjarja ndodhi kështu, por mund të ndodhte edhe ndryshe, që babai të bënte masakër. Policia duhet të bëjë më shumë për parandalimin e krimit. Shteti është roje nate, duhet të mbrojë dinjitetin e qytetarit. Shoqërisë i ka hyrë helmi dhe duhet të kemi zgjidhje.

Njerëzit nuk ikin vetëm për shkak të ekonomisë, por njerëzit po ikin edhe për qetësinë sociale. Kjo sepse nëse një njeri të vret kaq lehtë, kjo do të thotë se vendi bëhet i pajtueshëm. Llumi i krimit po trashet dhe po na asfikson jetën" u shpreh Tushi.