AKTUALITET, 20 Shtator 2022, 13:30

Valë urrejtje ndaj aktivistëve LGBT në rrjetet sociale pas sulmit në Beograd

Valë urrejtje ndaj aktivistëve LGBT në rrjetet sociale pas sulmit
Foto ilustrim

Një grup aktivistësh të komunitetit LGBT nga Shqipëria kanë marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të EuroPride në Serbi. 

Ata kanë rënë pre e dhunës fizike nga ekstremistët serbë, ndërsa në Shqipëri kanë rënë pre e një vale urrejtje në rrjetet sociale, ku mijëra komentues përgëzojnë dhunuesit dhe denigrojnë viktimat e dhunës. 

Xheni Karaj, drejtuese e organizatës "Aleanca LGBT", ka publikuar në faqen e saj në rrjetet sociale, një prej komenteve, duke identifikuar personin që bën thirrje për dhunë ndaj komunitetit LGBT. 

"Fiksojeni mirë këtë fytyrë dhe emër, mbajeni larg vetes dhe fëmijëve sepse këta janë përdhunuesit që ecin lirshëm rrugëve të qytetit. Është e disata herë që ky person bën thirrje për përdhunim ndaj meje dhe shoqeve të mia", shkruna Karaj. 

Vala e komenteve denigruese dhe që nxisin urrejtje ndaj komunitetit LGBT, nuk është një ngjarje e re, por një fushatë histerie koletive e përsëritur, sa herë çështjet që kanë të bëjnë me këtë komunitet marrin vëmendje mediatike. 

Në Shqipëri, nxitja e urrejtjes për shkak të orientimit seksual është vepër penale e cila dënohet nga dy deri në dhjetë vjet burg. Megjithatë, nuk ka patur persona të referuar në organet e drejtësisë për këtë çështje edhe pse është fenomen mjaft i përhapur. 

E ftuar në Tv Klan, aktivistja ka rrëfyer ngjarjen që ndodhi në Serbi dhe dhunën e ekstremistëve serbë. 

"Kur  po ktheheshim për në hotel na del përpara një grup ekstremistësh, 9 persona dhe fillojnë të na sulmojnë. Atë ditë nëpër rrugët e Beogradit kishte vetëm grupet e  policisë, huliganë dhe ne. Ne dalloheshim lehtësisht. Mbaj mend që pash partneren time Livian dhe Arbërin që ishin rrethuar nga 6 prej tyre. Ishte një tmerr. Unë kam kaluar shumë situata gjatë jetës sime…
Më goditën në kurriz dhe më hodhën rreth dy metra. Arbërin e goditën në kokë, Livian e  tërhoqën zvarrë gjatë gjithë kohës. Mbaj mend që kur isha përtokë pash policinë që u afrua. Koleget tona po i thërrisnin hajdeni, po ata nuk po lëviznin. Situata ishte shumë e rënduar. Mbaj mend një nga policët që po afrohej dhe ata filluan të shpërndaheshin", deklaroi Karaj.