TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndërsa Europa vendosi kufizimin e lëvizjes për turistët rusë dhe Rusia me zyrtarët e saj të lartë është nën sanksione të ashpra pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, OKB-ja ka vendosur që të sjellë në Shqipëri, vend anëtar të NATO-s dhe kandidate për anëtare të BE-së, një zyrtare të lartë ruse që do të mbikqyrë kontrollin e kufijve të Europës Juglindore. Zyrtarja e OKB-së, ishte për herë të parë në Tiranë, përpara dy javësh dhe është me origjinë nga Dagestani, një republikë e vogël me shumicë myslimane brenda Federatës Ruse.
Sipas shkresave të siguruara nga tpz.al, më 31 maj 2022, Zyra e OKB-së për Drogat dhe Krimin (UNODC) njoftoi Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në OSBE, se zonja Naida Chamilova është emëruar shefe e Zyrës së Programeve të UNODC-së në Shqipëri. Përmes një shkrese të datës 1 qershor 2022, ambasadorja e Shqipërisë në OSBE, Vjenë, Eglantina Gjermeni, njoftoi Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, se Chamilova do të niste detyrën më 1 korrik, duke qenë njëherësh edhe Koordinatore Rajonale për Progamin e Kontrollit të Konteinerëve UNODC-WCO për Europën Juglindore.
Në letrën e shefit të Seksionit të UNODC-së për Europën, Azinë Perëndimore dhe Qendrore, Alexandre Schmidt, thuhet se Chamilova iu bashkua UNODC-së në vitin 2016, ndërsa edukimi i bazë është ai për mësuesi, diplomuar në Republikën ruse të Dagestanit në vitin 1985 dhe më pas në Moskë, ku ka kaluar shumicën e jetës dhe të përvojës profesionale.
Sipas informacioneve të siguruara nga tpz.al, Ministria e Europës dhe e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ende nuk ia ka dhënë kredencialet zonjës Chamilova, pa të cilat ajo nuk mund të nisë punë në Shqipëri.
Mbetet i paqartë motivi i emërimit të zyrtares ruse në Shqipëri, në një kohë kur vendi ynë me portin e Durrësit apo Rinasin, është lënë jashtë financimeve të UNODC-së, ashtu si dhe porti i Barit në Mal të Zi. Zonja Chamilova ishte, ashtu siç e shënon në profilin e saj profesional në Linkedin, përfaqësuese e zyrës së UNODC-së në Kiev të Ukrainës dhe u largua pas nisjes së pushtimit rus dhe shumë zyrtarë të tjerë si ajo tashmë janë angazhuar prej disa javësh në kontrollin e konteinerëve në portet e Ukrainës, ku ka nisur eksporti i drithërave, falë marrëveshjes së nënshkruar me ndërmjetësimin e Turqisë, nën mbikqyrjen e OKB-së.
Zyra e UNODC-së në Tiranë ishte e paarritshme për t’u përgjigjur për misionin që do të kryejë zyrtarja ruse në Tiranë, por me një vështrim të shpejtë në faqen online, vendi ynë është lënë jashtë çdo financimi të OKB-së dhe gjithë vëmendja është përqendruar në vende të tjera si Serbia, veçanërisht aeroporti i Nishit në jug, ku është ndërtuar aeroporti më i madh i vendit, falë ndihmës së Rusisë.