AKTUALITET, 19 Korrik 2024, 11:50

“Shqipëria vend i vështirë për të bërë biznes", Çupi komenton raportin e DASH: Qeveria e Ramës ndër më të korruptuarat

“Shqipëria vend i vështirë për të bërë

Deputetja e PD, Dhurata Çupi ka reaguar pas publikimit të raportit të DASH, duke theksuar se “investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes”.

Në një deklaratë për mediat, deputetja demokrate teksa i referohet raportit thotë se korrupsioni në sektorin publik, por edhe në drejtësi është një problem kyç.

Ajo thekson se raporti amerikan nuk lë pa cekur as plagën e shpopullimit.

“Për herë të parë një shqetësim i tillë ngrihet kaq hapur. Emigrimi i të rinjve dhe i profesionistëve ka në bazë korrupsionin e qeverisë. Është një revoltë e heshtur për të refuzuar këtë sistem të kalbur, ku bëjnë përpara vetëm ata që i shërbejnë pushtetit në mënyrë të paligjshme dhe të pandershme”, thotë deputetja.

Sipas deputetes Çupi, një qeveri teknike, që përgatit zgjedhje të lira është interesi më i lartë i shqiptarëve.

Deklarata 

Në skanerin e fundit të Departamentit të Shtetit Amerikan, qeveria e Edi Ramës, rezulton, jo për herë të parë, si ndër më të korruptuarat. Biznesi në Shqipëri, thuhet në raport, operon në një mjedis të rrezikshëm për shkak të korrupsionit.

Propaganda e qeverisë nuk e fsheh dot problemin e madh të mungesës së konkurrencës së ndershme për shkak të tenderave korruptivë të paracaktuar.

Siç thekson raporti, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Korrupsioni në sektorin publik, në drejtësi, në prokurimet publike, konkurrenca e pandershme, informaliteti shumë i përhapur në ekonomi, janë ndër problemet kyçe.

Me Edi Ramën kryeministër gjithçka është vendosur në dispozicionin e pushtetit personal, që nga shteti i kapur në çdo hallkë, deri tek krimi i organizuar, që mbetet aleati kryesor i qeverisjes këta 12 vjet.

Raporti i Departamentit të Shtetit vë në dukje se faktorët që dëmtojnë më shumë konkurrencën në treg janë trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni. ‘Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Investitorët raportojnë shpesh raste të korrupsionit qeveritar, që vonon dhe parandalon investimet në Shqipëri’, – shkruan raporti. Po aty theksohet se PPP-të janë një nga mënyrat më të përdorura të qeverisë për kontratat korruptive, që kanë ulur mundësitë për konkurrencë në treg.

Raporti amerikan nuk lë pa cekur as plagën e shpopullimit: ‘Emigrimi i fuqisë punëtore të re dhe të kualifikuar ka krijuar mungesë të fuqisë punëtore që ndikon në perspektivat e investimeve.’

Për herë të parë një shqetësim i tillë ngrihet kaq hapur. Emigrimi i të rinjve dhe i profesionistëve ka në bazë korrupsionin e qeverisë. Është një revoltë e heshtur për të refuzuar këtë sistem të kalbur, ku bëjnë përpara vetëm ata që i shërbejnë pushtetit në mënyrë të paligjshme dhe të pandershme.

Ka një mënyrë për t’i dhënë fund korrupsionit kapilar, që nis nga maja e qeverisë. Janë zgjedhjet e lira, të pandikuara nga korrupsioni qeveritar dhe partneri i tij kryesor, krimi i organizuar.

Një qeveri teknike, që përgatit zgjedhje të lira është interesi më i lartë i shqiptarëve.

Shqiptarët meritojnë një qeveri të pakorruptuar, që respekton rregullat e ekonomisë së tregut, që ndëshkon krimin dhe i hap derën kthimit në Shqipëri të mijëra të rinjve dhe mijëra profesionistëve të larguar nga aleanca mes krimit të organizuar dhe narko-qeverisë.