AKTUALITET, 21 Prill 2022, 21:13

"Reagim qesharak i guvernatores"/ Berisha i përgjigjet ashpër Yuri Kim pasi mori në mbrojtje Alibeajn

"Reagim qesharak i guvernatores"/ Berisha i përgjigjet
Yuri Kim dhe Berisha

Sali Berisha i ka kthyer përgjigje Yuri Kim, pas deklaratës së saj, që erdhi si reagim i ngjarjeve të sotme në parlament. Kim mori në mbrojtje Alibeajn, pasi Sali Berisha e shtya atë nga foltorja e Kuvendit. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Berisha tha se ky ishte një reagim "qesharak i guvernatores" e cila tani ka marrë përsipër "të interpretojë rregulloren e parlamentit". 

"Pozicion qesharak i guvernatores, e cila merr përsipër të interpretojë rregulloren e parlamentit. Merr përsipër të përcaktojë se kush duhet të merrte fjalën dhe të protestojë se akuzohet qeveria dhe se nuk duhen bërë akuza. Natyrisht ajo që mund ti them zonjës është, merr fund loja me opozitë kukull. Nuk ka më opozitë kukull. Unë po i përgjigjesha Edi Ramës, që ishte zbehur. Ka mundësi t’ju jetë dhimbsur njerëzve", tha Berisha. 

Berisha komentoi edhe ngjarjen në Parlament, duke deklaruar se u përpoq të merrte fjalën dhe se Alibeaj shërbeu "si vegël e Ramës" për ta penguar, ngjarje të cilën e cilësoi të përsëritur. 

"Ai nuk është një problem midis meje dhe Alibeajt. Është një problem midis meje dhe Edi Ramës. Edi Rama foli sa deshi dhe lakoi emrin tim 30-40 herë. Në ligjin e parlamentit, nëqoftëse deputeti gjatë diskutimit, përflet një deputet tjetër, fill pas tij i jepet fjala dy minuta.

Cfarë mekanizmi kanë krijuar? Të tupshëm, të një keqpërdorimi ekstrem të Enkelejd Alibeajt. Para një muaji ndodhi e njëjta skenë. Ngrihet Taulant Balla nga vendi dhe i thoti Lindita Nikollës, nuk do ti japësh fjalën Berishës por Enkelejdit.

Ajo ishte një komandë shumë e turpshme, nuk e kisha parë në 30 vite. Sot e njëjta skenë. Foli Rama sa foli. Deklaroi çdo gjë kundër meje. Kisha shtypur butonin për reagimin. Isha përgojuar nga Rama disa herë. Unë u ngrita të merrja fjalën. E nxorrën atë me vrap në platformë. Ishte akt aq i shpëlarë. Kërcen Taulant Balla, kur unë do të merrja fjalën.
Proteston dhe kërkon 5 minuta pushim, vetëm të mos lejohesha unë të përgjigjesha. U detyrova të dal tek mediat jashtë.

Kemi të bëjmë me njeri që keqpërdoret në mënyrë mjerane. Të behsh vegël për ti mohuar të drejtën e fjalës një deputeti", tha Berisha.