AKTUALITET, 21 Prill 2022, 20:13

Meta në komunën arbëreshe Carfizzi: Çdo shqiptar që vjen ndihet si në shtëpi

Meta në komunën arbëreshe Carfizzi: Çdo shqiptar që

Presidenti Ilir Meta në kuadër të vizitës së komunitetit arbëresh sot është ndalur në komunën Carfizzi, të cilën vetë kreu i Shtetit shqiptar e përshkruan si mahnitëse dhe me një pamje të mrekullueshme nga deti jon.

Falë mikpritjes tradicionale shqiptare dhe lidhjes së fortë me rrënjët kombëtare, thotë Presidenti Meta, çdo shqiptar që vjen në Carfizzi ndihet si në shtëpi.

“Carfizzi është një komunë mahnitëse Arbëreshe mbi det, me një pamje të mrekullueshme nga Joni, që nuk duhet lënë pa u vizituar.

Për më tepër që këtu është edhe vendlindja e shkrimtarit të mirënjohur Carmine Abate, nga ku mori frymëzimin për kryeveprat e tij të lexuara në mbarë botën.

Falë mikpritjes tradicionale shqiptare dhe lidhjes së fortë me rrënjët kombëtare, që banorët e mrekullueshëm e dëshmojnë në përditshmërinë e tyre, çdo shqiptar që vjen në Carfizzi ndihet si në shtëpi.

I lumtur ta vizitoja dhe të nderohesha me një pritje shumë të ngrohtë nga qytetarët, Kryebashkiaku, Mario Amato dhe autoritetet vendore.

Inspiruese dashuria dhe përkushtimi i tyre, i dëshmuar në shekuj, për të trashëguar gjuhën, traditat, ritet fetare dhe kulturën e “Motit të Madh” të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, vlerë e përbashkët e Shqipërisë dhe Italisë, po aq europiane dhe botërore, që meriton sa më parë të bëhet pjesë e UNESCO”, shkruan Kreu i Shtetit shqiptar ne Facebook.