TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht Kryeministri, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së në Fier, theksoi se fokusi kryesor i qeverisjes dhe i mazhorancës mbetet rritja e pagave dhe thellimi i reformave.
Rama bëri të ditur se Partia Socialiste ka nisur një proces intensiv komunikimi, i cili do të zhvillohet në disa etapa. Ky proces fillon nga organizatat bazë, vijon me përfshirjen e komuniteteve dhe procesin e zgjedhjes së kryetarëve të njësive, për t’u përmbyllur në muajin qershor me kremtimin e 35-vjetorit të themelimit të PS-së.
Ai sqaroi se ky proces është përcaktuar fillimisht në Asamblenë Kombëtare, ku është hartuar edhe kalendari i zgjedhjeve brenda partisë, paralelisht me një plan të detajuar komunikimi me bazën socialiste.
Sipas Ramës, komunikimi i drejtpërdrejtë është thelbësor për të ndarë informacion dhe këndvështrime mbi çështje me rëndësi për vendin, të cilat shpesh, sipas tij, mbulohen nga dezinformimi, akuzat dhe spekulimet në media dhe portale.
Kryeministri u ndal edhe te rëndësia e informimit të qytetarëve mbi proceset kyçe, si negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke theksuar se këto tema nuk marrin vëmendjen e duhur në hapësirën mediatike.
Ai shtoi se përmes këtij procesi synohet gjithashtu t’i jepet një dimension i ri jetës organizative dhe politike të Partisë Socialiste, duke e vendosur theksin te informimi korrekt si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë vendor.
Në përfundim, Rama vlerësoi arritjet e deritanishme, duke pranuar njëkohësisht se ka ende probleme dhe sfida për t’u adresuar. Ai theksoi se realizimi i objektivave kërkon krijimin e mundësive përmes punës së vazhdueshme, vullnetit dhe durimit.