AKTUALITET, 11 Nëntor 2025, 10:56

Prezantimi/ Emetohet monedha e re përkujtimore '100 vjet Banka e Shqipërisë'

Prezantimi/ Emetohet monedha e re përkujtimore '100 vjet Banka e

Në konferencën e organizuar për 100 vjetorin e Bankës së Shqipërisë, guvernatori Gent Sejko ka prezantuar dhe një monedhë të re me rastin e këtij viti jubilar për këtë institucion.

Bëhet fjalë për një monedhë me vlerë 100 lekë, e cila sipas guvernatorit Sejko, nuk do të hidhet në treg por është përgatitur vetëm për këtë event.

“Është monedhë numizmatike pa kurs ligjor. Në shpinë, në të majtë qëndron portreti i një djali me veshje popullore të Shqipërisë së mesme, i konfiguruar në kartëmonedhën e parë të emetuar në vitin 1926 dhe në të djathtë, portreti i poetit dhe atdhetarit Asdreni i konfiguruar në kartëmonedhën 10000 Lekë, emetimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë.  Në krahun tjetër është shenja e 100 vjetorit”, tha Sejko.

Banka e Shqipërisë ka të drejtën të emetojë kartëmonedha, monedha dhe medaljone për qëllime numizmatike. Ato përkujtojnë ngjarje dhe personalitete të rëndësishme.

Në vitin 1926 Banka Kombëtare e Shqipërisë shtypi për herë të parë një monedhë qarkullimi, e cila kishte edhe qëllime përkujtimore. Ajo ishte monedha 20 Franga Ar e vitit 1926 dhe përkujtonte “Paktin e Miqësisë dhe Sigurisë” që Italia dhe Shqipëria nënshkruan në vitin 1926.

Kartëmonedha e parë e qarkullimit, e cila kishte edhe qëllime përkujtimore ishte 20 Skënder i emetuar nga Katundaria e Korçës në 1921. Ajo përkujtonte konfirmimin e kufijve politiko-administrativë të Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Paris (Lidhja e Kombeve), nëntor 1921