AKTUALITET, 12 Dhjetor 2022, 11:46

Porti i ri Tregtar në Porto Romano/ Balluku: Investim 390 milionë eurosh, do të punësohen 1500 persona

Porti i ri Tregtar në Porto Romano/ Balluku: Investim 390 milionë

Kryeministri Edi Rama sëbashku me zv.kryeministren Belinda Balluku kanë prezantuar projektin e Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano.

Në fjalën e saj hapëse të këtij prezantimi ministrja e Infrastrukturës shprehet se kompleksi portual Durrës-Porto Romono do të mbulojë nevojat e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në katër dekadat e ardhshme.

Mes të tjerash Balluku theksoi se aktiviteti do të mbikëqyret nga Autoriteti Portual i Durrësit dhe do të ndryshojë tërësisht peizazhin ekonomik.

“Linjat hekurudhore mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, apo krijimin e porteve të thata, që do të sjellin në ndryshim të peizazhit ekonomik. Kemi kryer një punë dy vjeçare, teknik dhe i kemi bërë me ndihmën e kompanisë lider në këtë punë. Është një investim transformues.

Përmes Portit tregtar dhe ballina ujore dhe marina e Jahteve në Durrës po ndërtojmë një kompleks portual. Tërësisht të modernizuar, që do të jenë në pronësi shtetëror, dhe Autoriteti Portual i Durrësi do të mbikëqyrë të gjitha aktivitetet.” tha Balluku.

Balluku ka shtuar se në portin e Jahteve në Durrës dhe në portin tregtar në Porto Romano do të aplikohet një teknologji e fjalës së fundit.

“Është një projekt strategjik që do mbulojë nevojat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës, për katër dekadat e ardhshme. Nuk është kopje e madhe e Durrësit, por investim i ri modern që do të mbulojë kërkesat e katër dekadave të ardhshme me një teknologji që nuk është aplikuar këtu.

Në këtë investim 390 milion eurosh që punëson 1500 vetë, një vëmendje ka marrë ndërlidhja e terminaleve edhe hekurudhore.

Dy portet do të lidhen sëbashku por edhe më linjat që vjen për në Tiranë. 46% do të mundësohet nga shteti 54% nga ndërtuesi. Pasi kjo është zgjedhur me konsensus. Do të rimbursohet na autoriteti portual i Durrësi.

Do të dali në garë ndërkombëtare, për të gjitha kompanitë. Procesi i garës do të mbyllet në korrik të 2023.” tha Balluku.