AKTUALITET, 28 Nëntor 2022, 20:54

Policia zbardh konfliktin me armë zjarri, si nisi sherri mes nënkryetarit të degës së PD-së dhe një prej anëtarëve (Emrat)

Policia zbardh konfliktin me armë zjarri, si nisi sherri mes

Policia ka dhënë detaje në lidhje me konfliktin me armë zjarri, i cili ndodhi gjatë një takimi në degën e PD në Laç. Mësohet se në konflikt janë përshirë V.R. 53 vjeç dhe K,M..

Blutë e Kurbinit sqarojnë se ngjarja ndodhi ndërkohë që po zhvillohej një mbledhje, ku ka pasur një debat mes K.M, nënkryetar i degës dhe 53-vjecarit V.R, anëtar partie dhe mbështetës i një prej kandidatëve në primare.

Pas ngjarjes policia ka shpallur në kërkim V.R i cili akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje.

Njoftimi i Policisë

Kurbin / Qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti, Policia shpall në kërkim shtetasin V. R.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin shpallën në kërkim shtetasin V. R., 53 vjeç, , për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Shpallja në kërkim e këtij shtetasi u bë pasi, rreth orës 17:30, Policia e Kurbinit ka marrë njoftim për një konflikt, gjatë së cilit, një shtetas kishte  qëlluar me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku ka rezultar se:

Dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin po zhvillonte një mbledhje dhe gjatë saj, ka pasur një debat mes shtetasve K. M. ( P), dhe një anëtari, mbështetës i një kandidati tjetër primar, nga ky subjekt politik, për Kurbinin.

Në debat e sipër, shtetasi V. R. ka qëlluar me armë zjarri në korridor dhe është larguar menjëherë nga ambientet e degës së subjektit politik.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasit V. R.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë me të cilën  shtetasi V. R., tashmë  i shpallur në kërkim, dyshohet se ka qëlluar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.