AKTUALITET, 3 Prill 2026, 11:41

Operacioni/ Ktheu qendrën e fizioterapisë në ‘fole’ prostitucioni në mes të Tiranës, arrestohet 40-vjeçarja! Në procedim punëtorja, ja çfarë u zbulua

Operacioni/ Ktheu qendrën e fizioterapisë në ‘fole’

Një “fole” prostitucioni është zbuluar sot në mes të Tiranës, duke kryer dy procedime penale.

Policia njoftoi se pas hetimeve që zgjatën mëse tre muaj bashkë me Prokurorinë e Tiranës, u arrestua në flagrancë për “shfrytëzimi i prostitucionit”, B. G., 40 vjeçe.

Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “prostitucioni” edhe një 41-vjeçare që besohet se ishte punëtore seksi.

Aksioni u krye nga Komisariati nr. 2, në një qendër masazhi në rrugën “Ismail Qemali”, në pronësi të të arrestuarës.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, si rezultat i një hetimi 3-mujor, të kryer në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, shtetasen B. G., 40 vjeçe, si dhe proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, një 41-vjeçare. Në ambientet e subjektit (qendër fizioterapeutike), në rrugën “Ismail Qemali”, në pronësi të shtetases B. G., 40 vjeçe, u konstatua se shfrytëzohej për prostitucion një 41-vjeçare”, njoftoi policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.