AKTUALITET, 28 Maj 2023, 20:34

Nga Rinasi, banka tek argjendaria e masakra e Lushnjes/ Grabitjet fatale në Shqipëri

Nga Rinasi, banka tek argjendaria e masakra e Lushnjes/ Grabitjet fatale në

Vjedhja është krimi që ndodh më shpesh në Shqipëri. Në fakt është një krim ndërkombëtar. Krim që lidhet me shumë faktorë, kryesisht socialë e ekonomikë. Por që rrugës transformohet. Nga një vjedhje ordinere mund të kthehet në një grabitje me armë, që ndodh të jetë dhe fatale. Nisur nga statistikat për vitin e kaluar, llogaritet të ndodhin rreth 19 vjedhje në ditë. Në raportet vjetore të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme për vitin 2022, llogariten të kenë ndodhur 11 vjedhje me armë dhe 112 vjedhje me dhunë. Por pasojat më të rënda në ngjarje të tilla, nuk janë vjedhja e pasurisë. Vitin e kaluar, 6 persona kanë mbetur të vrarë gjatë grabitjeve.

Jo më kot hajduti konsiderohet krimineli më i rrezikshëm. Ndonëse qëllimi i tij është plaçkitja, ai mund të kthehet në një vrasës nëse situata i del jashtë parashikimit. Ndër vite kanë ndodhur ngjarje mjaft të rënda, të ndikuara edhe nga armatosja e popullatës. Këtë e dëshmon eksperienca e vendit tonë nga ngjarjet e vitit 1997. Statistikat ishin të frikshme për sa i përket armëve që ranë në duart e njerëzve. Të pakën deri në vitin 2005 llogariteshin rreth 150-200 mijë armë që mund të ishin të fshehura ose përdoreshin nga njerëz të ndryshëm për krime. Duke nisur nga grabitjet në rrugë, në banesa, për grabitje bankash, për larje hesapesh me grupet kriminale, kundër forcave të rendit, për gjakmarrje dhe veprime të tjera kriminale.

Kriminologjia rendit disa faktorë që ndikojnë në kryerjen e vjedhjeve e grabitjeve. Studiues të ndryshëm kanë shkruar rreth karakteristikave kriminale të personave që kryejnë krime të tilla. Megjithatë vit pas viti përballen me situata të ndryshme dhe me kriminelë që ju dalin edhe jashtë parashikimeve. I tillë ishte rasti i vitit 2012, kur u arrestua grabitësi serial Viktor Gushi, që kishte kryer dy vrasje gjatë tentativave për të grabitur një argjendari dhe një bankë.

Në një video 10 minutëshe, që u publikua nga vetë Policia e Tiranës, ku shfaqej duke folur Viktor Gushi, një njeri me 10 klasë shkollë, shërbyen sa dhjetëra orë leksione të dobishme kriminologjie. Shërbyen për policinë, për hajdutët por edhe për qytetarët e thjeshtë. Viktor Gushi, me ato çfarë e dëgjuam të tregojë, i qartë dhe gjakftohtë, i hodhi poshtë Policisë disa teori mbi hetimin e ngjarjeve. U tregoi hetuesve se cila është rruga e drejtë për të zbuluar kriminelin dhe pse deri tani kishin ecur në rrugën e gabuar.

Policia mësoi nga Viktor Gushi, se jo çdo kush që vrapon për të ikur nga një vendngjarje mund të jetë kriminel. Ai ua bëri të qartë se nuk vrapoi asnjëherë, pas 16 krimeve që pranoi të ketë kryer. Ndodh edhe që një ngjashmëri fizike me autorin, i privon lirinë një personi të pafajshëm, ashtu sikurse edhe ndodhi me disa “sozi” të Viktor Gushit. Ndërsa vetë ai pas çdo ngjarje, ulej në lokal, ndiqte lajmet madje edhe nënqeshte e tallej me policinë, që nëpër konferenca njoftonte për arrestimin e autorit.

Viktor Gushi deri diku hodhi poshtë edhe teorinë e Policisë për masat që merr pasi ndodh një krim. Jo gjithmonë është e vlefshme të kontrollosh makina e motorë për të zbuluar nëse autori i krimit mund të jetë larguar me një mjet të tillë nga vendi i ngjarjes. Në rastin e Viktor Gushit nuk ishte ashtu. Ai për të paktën 4 vjet, nuk pati nevojë të përdorte as makinë e as motor. Lëvizte vetëm në këmbë.

Po ashtu, Policia mësoi se ndonjëherë nuk është shumë e nevojshme të vendosësh numra celularësh në përgjim. Në rastin “Gushi”, telefoni nuk doli në skenë. Ai prej vitesh nuk përdorte celular. Nga Viktor Gushi, Policia mësoi edhe se, nuk është shumë e nevojshme të kërkojnë për ndonjë bashkëpunëtor që mund të dekonspirojë autorin. Ai nuk pati kurrë bashkëpunëtorë. Madje nuk kishte as shokë. Bënte gjithçka vetëm dhe kështu kishte “mbijetuar” për 4 vjet, mos më shumë. Policia “u paralajmërua” nga Viktor Gushi që të nxitojë për të shkuar në vendin e ngjarjes. Ashtu si e tha edhe ai vetë, koha ishte kronometruar. Plagosja, grabitja dhe vrasja, të tria bashkë zgjasnin vetëm 3 minuta. Kohë perfekte për t’i shpëtuar arrestimit.

Viktor Gushi tregoi edhe se sa me lehtësi mund të gjendet armët në Tiranë. Tregoi dy vende, Zogun e Zi dhe Bërrylin. E kur në dy zona kaq pranë qendrës së Tiranës mund të shiten armë, atëherë çfarë mund të mendojmë për periferinë? Ai tregoi se si kishte vepruar për të mos lënë gjurmë. Kishte mbajtur doreza dhe kishte fshehur gëzhojat e armëve, kur situata i kishte dalë jashtë kontrollit. Ai vetë, “gaboi” vetëm në dy raste. Viktor Gushi pati edhe një mesazh: “Veproni gjithmonë vetëm, mos i besoni askujt”. Dhe këtë ai e përcolli me ndihmën e Policisë, që lejoi transmetimin e videos kur ai pyetej, pranonte dhe shpjegonte çdo krim që kishte kryer.

Përmes asaj videoje ai paralajmëroi qytetarët që kurrë mos t’i flasim “keq” një hajduti. Kurrë mos t’i bëjnë rezistencë. Më e rëndësishmja, kurrë mos ta ofendojnë, aq më pak t’i thonë “maskara”. Viktor Gushi na tregoi se jo gjithmonë duhet t’i ruhemi një njeriu trupmadh, me muskuj e të vrazhdë. Ai me rastin e vet na tregoi të kundërtën. Edhe pse i imët, trupvogël, i urtë dhe që skuqej për një fjalë goje, ishte në gjendje t’i merrte jetën kujtdo që e shante. Na mësoi se si të ruajmë jetën tonë nga njerëz si ai.

Dy krimet më të rënda që ai ka kryer janë vrasja e argjendarit Rrapo Sinanaj në vitin 2011 dhe e arkëtares së bankës Leonora Kaloçi e plagosjen e rojës në vitin 2012. Ndërsa kishte plagosur më parë edhe dy arkëtare në pikat e pagesave të ujit, ku shpërndaheshin edhe pensionet.

Vritet gjatë grabitjes argjendari Rrapo Sinanaj

Mbrëmjen e 20 tetorit të vitit 2011, argjendari Rrapo Sinanaj u qëllua për vdekje, gjatë përleshjes me grabitësin që e kërcënonte me armë për t’i dhënë paratë dhe bizhuteritë që kishte në banak. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, në rrugën “Ferit Xhajko”, në anë të Unazës së Tiranës. Viktima Rapo Sinanaj, 61 vjeç, u qëllua me një plumb në ballë nga personi që po tentonte të grabiste argjendarinë. Ky person u zbulua një vit më vonë. Të njëjtën armë që përdori në këtë ngjarje, e shkrepi për t’i marrë jetën arkëtares së një banke. Ishte Viktor Gushi, i cili më pas e pranoi vetë këtë krim e shumë të tjerë. Në atë kohë Policia tha se vrasja ishte kryer për shkak të rezistencës që kishte bërë pronari i argjendarisë, i cili nuk i është bindur kërcënimit të autorit.

Vritet arkëtarja e bankës, plagoset roja i sigurisë

Tentativa për të grabitur filialin e një banke në Tiranë është mbyllur në mënyrë tragjike, me vrasjen e arkëtares së bankës e plagosjen e rojës së sigurisë. Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 15:30, të datës 27 mars 2012 në filialin e bankës, në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet, kur duhej edhe gjysmë orë që banka të mbyllte aktivitetin. Grabitësi ka qëlluar me armë punonjësit e sigurisë dhe arkëtaren e bankës, pasi ka hasur rezistencë. Ndërsa është larguar me shpejtësi pa arritur të kryejë grabitjen, sepse është aktivizuar alarmi i  bankës. Arkëtarja që kishte shtypur alarmin që sinjalizon policinë për vjedhje të bankës, Leonora Kaloçi, është qëlluar me dy plumba nga autori, i cili më pas është larguar. Ndërsa më përpara grabitësi, që më pas rezultoi të ishte Viktor Gushi, kishte qëlluar edhe rojën e sigurisë, Skënder Elmazi, 53 vjeç, në mënyrë që ta neutralizonte para se të kryente grabitjen.

Provat e fiksuara nga policia në ambientet e bankës, drejtuan grupin hetimor tek një tjetër ngjarje e ngjashme. Kalibri i fishekëve të pistoletës me të cilën u krye krimi, 7.62 milimetra dhe gjurma që lë gjilpëra e armës në kapsollën e gëzhojës së fishekut, janë të njëjta me armën që u përdor gjatë tentativës së grabitjes së argjendarisë ku u vra Rrapo Sinanaj.

Ishte kjo ngjarje që ngriti në këmbë të gjitha strukturat e Policisë. Viktor Gushi studionte mirë terrenin përreth vendit që realizonte grabitjen dhe arrinte t’i shmangej kamerave. Por në këtë ngjarje një kamera që s’e kishte vënë re, e nxori zbuluar. Përmes saj Policia arriti të zbulojë imazhin e tij dhe një foto që shpërndau në media solli identifikimin e më pas edhe arrestimin e Viktor Gushit.

E teksa ndiqte lajmet, arkëtarja Vjollca Tobli, njohu personin që e kishte plagosur më 7 korrik të vitit 2010. E megjithatë edhe pse Viktor Gushi e kishte qëlluar 3 herë me pistoletë, e një prej plumbave vazhon ende ta ketë në shtyllën kurrizore, ajo nuk është nxituar pa u siguruar duke kërkuar nga Policia një fotografi më të qartë të tij. Më pas nuk ka pasur më asnjë dyshim. Viktor Gushi ishte pikërisht personi qe e kishte qëlluar në arkën tek Shkolla e Baletit.

Në vitin 2016, një grabitje spektakolare në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, nxori zbuluar cënoi sigurinë kombëtare. Katër persona të armatosur arritën të futen në pistën e avionëve dhe grabitën afro 1 milionë euro. Jo më shumë se dy muaj para grabitjes së 30 qershorit 2016, sistemi i sigurisë së Aeroportit ishte testuar nga Aviacioni Civil dhe Policia e Shtetit. Tri teste të kryera më 20 prill të vitit 2016, nxorën zbuluar sistemin e sigurisë, pasi u kuptua se në terminal e deri në pistë mund të futeshin lehtësisht objekte të jashtëligjshme.

Këto teste nxorën në dritë skandalin, pasi u provua se në Aeroport mund të futeshin lehtësisht, jo vetëm objekte të vogla të ndaluara, por edhe lëndë eksplozive. Testimi i parë u krye për futjen e eksplozivit, i dyti për futjen e armëve të ftohta dhe i treti kishte të bënte me çarjen e rrethimit të pistës, pra perimetrit të jashtëm të aeroportit. Në të tri këto testimi, siguria ka dështuar, pasi objektet kanë kaluar detektorët pa u diktuar nga askush. Madje, testi i tretë, që kishte të bënte me çarjen e perimetrit të jashtëm, është realizuar pikërisht në vendin ku u fut makina e grabitësve ditën e enjte. “Testimi i fshehtë u mbajt më datë 20 prill 2016, nga ora 10:15 deri në 11:15 në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Ky raport i është dorëzuar aeroportit dhe Ministrisë së Transporteve më 13 maj dhe kërkohej të merreshin masa të menjëhershme brenda 10 ditësh, pasi ishte konstatuar se siguria në pistë ishte lehtësisht e cenueshme dhe në këto kushte po përballeshin me një alarm sigurie.

E me gjithë këto teste, me gjithë paralajmërimet që supozohej të kishte masa të shtuara, ngjarja përsëritet në vitin 2019. Madje kësaj here edhe më e rëndë, me pasoja fatale. Pasi grabitën 4.6 milionë euro nga barku i avionit në pistën e Rinasit, autorët u larguan me furgonin me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Në momentin që po tentonin t’i vinin flakën furgonit, patën shkëmbim zjarri me policinë dhe u vra njëri nga grabitësit, Admir Murataj.

Grabitje në pistën e Rinasit, vritet njëri nga autorët

Katër persona, të veshur me uniformë të forcave Komando, të maskuar me maska silikoni, të armatosur me kallashnikovë, granata e kallepë tritoli, janë futur në pistën e avionëve, duke grabitur 4.6 milionë euro. Grabitësit kanë hyrë në pistë nga porta veriore, pasi e kanë prerë me darë dhe janë afruar deri tek avioni që do të nisej drejt Vjenës me një furgon të bardhë, me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Pasi kanë kërcënuar me armë punonjësit e sigurisë që po ngarkonin bagazhet në “barkun” e avionit, kanë arritur të marrin disa çanta me para, që mësohet se u përkisnin 3 bankave të nivelit të dytë. Pasi kanë realizuar grabitjen ata janë larguar me furgon, duke përshkuar pistën në të gjithë gjatësinë e saj dhe kanë dalë nga e njëjta portë nga kishin hyrë. Një furgon i FNSH është vënë në ndjekje të autorëve madje ka pasur edhe shkëmbim zjarri. Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vrarë njëri nga grabitësit, Admir Murataj, ndërsa 3 të tjerët janë larguar me një tjetër furgon, që më vonë u gjet i djegur pranë lumit të fshatit Çekrezë.

Në janar të vitit 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti pretencën për bandën e të akuzuarve për tri grabitje të bujshme të ndodhura në autostradë gjatë transportimit të parave të bankave nga Tirana në Rinas. Nga ky grup vazhdonte të ishte në kërkim Admir Murataj. Ngjarja e parë për të cilën akuzohet grupi që kishte në përbërje edhe ish-ushtarakë të forcave komando, ndodhi në vitin 2015 pranë stacionit të trenit në Tiranë, ku në një bankë të nivelit të dytë u vodhën me armë 900 mijë franga, 800 mijë paund dhe 16 mijë euro. Pak muaj më vonë rreth 2 milionë paund, 800 mijë dollarë dhe sasi të tjera valute u vodhën pranë kthesës së Kasharit. Ngjarja e tretë për të cilën akuzoheshin Admir Murataj me shokë, ndodhi pranë Rinasit gjatë transportimit të parave me makinën e Policisë private, ku u rrëmbyen në automjet thasët me 2 milionë e 400 mijë euro, 200 mijë dollarë dhe valuta të tjera. Zbulimi i serisë së autorësisë së grabitjeve u bë në shkurt të 2017-ës, kur policia dhe Prokuroria arrestuan anëtarët e bandës.

Grabitjet me armë të bankave, argjendarive, arkave të pagesave të ujit apo energjisë, nuk janë të vetmet ngjarje ku siguria vihet në pikëpyetje, edhe nga fakti se qytetarët janë më të ekspozuar. Ngjarje me fund tragjik kanë ndodhur edhe brenda katër mureve të shtëpive. Aty ku supozohet të jetë vendi më i sigurt për një familje. Gjatë grabitjeve me dhunë e me armë, kanë mbetur të vrarë të moshuar, burra e gra. Por janë vrarë edhe vetë autorët gjatë përballjes me Policinë.

Hyn për të vjedhur në banesë, vret dy gra

Dy gra u gjetën të pajeta brenda një banesë në fshatin Progër të Devollit, mëngjesin e 5 marsit të vitit 2022. Fatmira Bami, 60 vjeçe dhe vjehrra e saj Bukurie Bami, 80 vjeçe u goditën për vdekje me sende të forta nga personi që kishte hyrë për të vjedhur në shtëpinë e tyre. Policia arriti të arrestojë autorin e dyshuar të ngjarjes, Ali Zilin, 36 vjeç dhe tha se ai kishte hyrë për të vjedhur në banesën e viktimave dhe kur ka hasur në rezistencën e tyre, i ka dhunuar ato me sende të forta duke u shkaktuar vdekjen. Trupat e dy grave janë konstatuar nga kryeplaku i fshatit, në banesë, të pajeta dhe me shenja dhune në trup. Nga hetimet rezultoi se ato ishin vrarë dy ditë para se të gjendeshin nga kryeplaku. Natën e vrasjes Ali Zili, pas krimit është larguar nga fshati me një taksi në drejtim të qytetit të Korçës, duke i thënë taksistit që i ishte rrëzuar nëna. Rrobat e gjakosura nga përleshja me dy viktimat Zili ia ka dhënë një endacaku në qytetin e Korçës. 36-vjeçari është munduar të fshehë gjurmët e krimit, duke u larguar për dy ditë nga fshati. Gjergj Zili, vëllai i të dyshuarit, tregonte se ai pinte alkool dhe nuk dinte se çfarë bënte. Madje shprehej se e ka denoncuar edhe ai vetë të vëllain disa herë por policia e kishte nxjerrë jashtë.

Dy grabitës vrasin të moshuarin për 5 mijë lekë

Një 89-vjeçar në fshatin Klos të Mallakastrës ka humbur jetën më 20 nëntor të vitit 2022 si pasojë e dhunës së grabitësve që hynë për ta vjedhur në banesë. Policia njoftoi se dy autorët e ngjarjes së rëndë janë Musa Gudo dhe Ervis Halimi, tashmë të arrestuar. Ata nën kërcënimin e armës, i morën një shumë parash Çaush Shehajt, të cilin edhe e dhunuan. Autorët e dyshuar të ngjarjes, Ervis Halimi, 22 vjeç dhe Musa Gudo, 28 vjeç janë arrestuar nga policia. Ata kanë arritur të marrin 5 mijë lekë nën kërcënimin e armës. I moshuari u dërgua në spital, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra. Nipi i Çaush Shehajt, tregonte se kjo ishte hera e dytë që grabitej, madje sipas tij, nga i njëjti person.

Do hynin për të vjedhur në shtëpi, vritet kryefamiljari e grabitësi

Natën e ndërrimit të viteve në 2012-ën, një tentativë grabitjeje përfundoi me dy të vrarë dhe një të plagosur në fshatin  Hoti i Ri disa kilometër larg qytetit të Shkodrës. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit. Viktimë mbeti i zoti i shtëpisë Zef Markaj, 51 vjeç dhe njëri prej grabitësve Ardian Kola, 44 vjeç, ndërsa u plagos i vëllai i kryefamiljarit Gjon Markaj. Teksa familjaret ishin ne gjumë, dy grabitësit po tentonin te hapnin me force derën e shtëpisë. Kryefamiljari se bashku me te vëllain pasi kane dëgjuar zhurmat kanë ndërhyre duke goditur me sende të forta në kokë dhe trup grabitësin Ardian Kola, i cili ka gjetur vdekjen. Por të zotët e shtëpisë janë sulmuar me armë nga grabitësi tjetër nga ku ka mbetur i vdekur Zef Markaj dhe është plagosur, por jashtë rrezikut për jetën, vëllai i tij Gjon Markaj.

Pas trazirave të vitit 1997, njerëz të maskuar e të armatosur, organizonin prita në rrugë dhe grabisnin qytetarët. Në pritat e tyre herë pas here kanë rënë edhe punonjës Policie, që shkonin për t’i arrestuar dhe përballeshin me shkëmbim zjarri. Ngjarje të tilla kanë ndodhur nga Jugu në Veri dhe shumë oficerë Policie kanë rënë dëshmorë, të vrarë nga grabitës të armatosur.

Maskat vrasin një oficer policie, plagosin tre të tjerë

Maskat u rishfaqen përgjakshëm, duke vrarë një oficer policie dhe duke plagosur 3 pjesëtarë të tjerë të grupeve të gatshme në Komisariatit të Laçit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e 6 tetorit të vitit 2001 në vendin e quajtur “Marka Tomaj”, vetëm 10 kilometra larg qytetit të Lezhës. Pas një prite që një grup grabitësish i kanë bërë furgonit të grupeve të gatshme të policisë së Laçit, të cilët ishin vënë në ndjekje të tyre, është vrarë oficeri i Policisë Kriminale, Vladimir Ismailuka. Ndërkohë, kanë ngelur të plagosur policët: Pjetër Biba, Ndrec Ndreca dhe Xhavit Seferi. Në qytetin e Lezhës ka mbërritur urgjentisht ministri i Rendit Publik, Ilir Gjoni, dhe krerët më të lartë të Policisë së Shtetit, Bilbil Mema dhe Niko Brahimi, të cilët, përveç asistimit në ceremoninë mortore të oficerit 34-vjeçar që u vra, kanë marrë të gjitha të dhënat paraprake nga hetimi i ngjarjes së rëndë. Sipas këtyre hetimeve, nuk janë zbardhur ende emrat e grupit që vrau oficerin e policisë, Vladimir Ismailuka, dhe plagosi 3 të tjerë.

Në jo pak raste, kur kanë ndodhur krime të rënda, qytetarët kanë protestuar duke kërkuar dënim me vdekje për autorët. Kryesisht për ngjarje të rënda, ku viktima janë fëmijët. Por edhe për raste grabitjesh me fund tragjik, kryesisht ato që ndodhin brenda shtëpive, është protestuar shpesh. Është kërkuar rikthimi i dënimit kapital. Në fakt Shqipëria e ka hequr dënimin me vdekje prej afro 30 vitesh. I fundit dhe demonstrativ ka qenë dënimi me vdekje i vëllezërve Josif dhe Dritëbardh Çuko. Krimi për të cilin ata u dënuan ndodhi në 29 maj të vitit 1992 kur dy vëllezërit hynë në mesnatë në banesën e familjes Pupa me qëllim për t’i grabitur. Si pasojë ata kanë vrarë djalin e vogël të familjes, së bashku me nusen e tij, babanë dhe nënën. Në fund vranë edhe mbesën 8-muajshe të familjes. Pas një gjyqi prej 24 ditësh, të dy vëllezërit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me vdekje. Ata u varën në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë të varur deri mbrëmjen tjetër, për t’u parë nga turma njerëzisht që erdhën edhe nga qytetet e tjera.

Masakra e Libofshës, dy grabitës vrasin 5 anëtarë të një familje

Rreth orës 00: 45, të datës 29 maj 1992,  dy vëllezërit hynë në shtëpinë pronë e familjes Pupa. Ata  kanë shfrytëzuar dritaren e njërës prej dhomave ku flinte foshnja tetë muajsh,  Magdalena. Me qetësi kanë goditur me një sëpatë 30-vjeçarin, Agim Pupa, që kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga  Greqia, ku kishte emigruar për afro 1 vit. Po me sëpatë ata kanë qëlluar mbi  bashkëshorten e Agimit. Ajo ka ndier nëpër gjumë hapat e hajdutëve dhe është përpjekur të dalë nga dhoma. Aty mes dhomës është qëlluar me sëpatë, duke vdekur me dorën mbi ballë,  për t’u mbrojtur nga goditja. Autorët më pas kanë lidhur nënën e Agimit, Zenepen, dhe pasi janë përleshur  me burrin e saj, Petritin, e kanë qëlluar atë për vdekje. Vrasësit kanë torturuar gruan e moshuar, duke dashur  që ajo të tregonte lekët, kursime e të  birit, dhe e kanë lënë duke dhënë shpirt  në korridor. Foshnja e vogël ka qarë vazhdimisht dhe autorët e kanë goditur atë me levë pas qafe. Mustafa Pupa, djali tjetër i familjes, është përballur me skenën e llahtarshme  në mëngjesin e ditës pasardhëse. Fillimisht ai ka parë nënën e përgjakur të shtrirë në korridor, muret dhe der  dhe tavanet e gjakosur. Nëna, Zenepja  ka vdekur dy orë më pas, rrugës për në spital.

Grupi hetimor kishte dy versione për këtë ngjarje: Vrasje për hakmarrje dhe vrasje për grabitje, kjo për faktin se familja Pupa dihej që kishte lekë në shuma të konsiderueshme. Për verifikimin e dy versioneve paralelisht u ndanë detyra konkrete për çdo pjesëtar të grupit operativ, u koordinua puna me Degët e Ruajtjes së Rendit Lushnjë, Elbasan dhe Drejtorinë e Rendit Publik, Tiranë, për verifikimin e personave të dyshimtë në këtë vrasje.

Krahas punës intensive në rrugë hetimore e operative, nuk u hoqën vëmendja në asnjë moment nga verifikimet e tjera. Vetëm pas katër ditësh, eksperti kriminalist i Degës së Rendit Publik, Vlorë, Llazar Plaku, dha konkluzionin kategorik se gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes, në xhamin e superluçes, janë lënë nga Ditbardh Çukos, nga fshati Libofshë. Menjëherë u organizua operacioni për kapjen e autorit, verifikimin e thirrjen e menjëhershme të të gjitha lidhjeve shoqërore e miqësore, daktiloskopimi i tyre dhe kontrolli i banesës së Ditbardh Çukos. Nga kryerja e këtyre veprimeve rezultoi se në banesën e tij u gjetën rroba me njolla gjaku dhe se përveç gjurmëve të tij, në xhamin e hequr kishte lënë shenjat e duarve edhe vëllai i Ditbardhit, Josif Çuko, 22 vjeç.

Mbi këtë bazë u ndaluan si autorë dhe për kontradikta në thënie Ditbardh Çuko, 24 vjeç, Josif Çuko 22 vjeç, motra e tyre si dhe shoku i ngushtë i Ditbardhit. Nga puna intensive e hetuesisë së rrethit, që në momentin e ndalimit, autorët Ditbardh dhe Josif Çuko pranuan se kishin kryer vrasje për motivin e grabitjes dhe hakmarrjes, pasi Agim Pupa kishte dashur motrën e tyre dhe e kishte lënë atë. Hetimi u bë i shpejtë dhe i plotë, brenda katër ditëve çështja penale iu dërgua për gjykim Gjykatës së Rrethit, e cila i dënoi dy autorët me vdekje, varje në litar. Kryetari i trupës gjykuese të  kësaj çështjeje ka qenë Andon Beta. Ai pranon se atë ngjarje s`mund ta harrojë kurrë.

Ligji parashikon dënime të ashpra për rastet e grabitjeve me pasojë vdekjen. Sipas Neni 141 të Kodit Penal: Vjedhja e pasurisë, kur është shoqëruar me dhunime që kanë sjellë vdekjen e personit, dënohet me burgim nga 15 deri në 25 vjet ose me burgim të përjetshëm. E megjithatë duket se as burgimi përjetë nuk i frikson më grabitësit. Të paktën shifrat dëshmojnë të kundërtën. Përgjithësisht ata që kryejnë një krim të tillë, janë përsëritës. Dikur e kanë nisur nga vjedhje ordinere e megjithëse janë burgosur, nuk janë rehabilituar. Përkundrazi. Kanë përdorur eksperiencën e tyre për të sofistikuar metodat kriminale. E megjithëse i kanë gjurmët në sistemet e Policisë, shumë prej tyre nuk hezitojnë të grabisin e madje edhe të vrasin. Pas çdo ngjarje të tillë, autorët ose nuk identifikohen, ose theksohet se “kanë qenë të dënuar më parë”. Po teksa grabitësit sofistikojnë metodat e tyre si rregull edhe Policia duhet të zhvillojë metodat për zbulimin e këtyre ngjarjeve. Por më e rëndësishme se zbardhja e një ngjarje, është parandalimi i saj. Kjo do sillte sigurinë që të gjithë kërkojnë. Siguri në rrugë, në bankë, në një pikë këmbimi, argjendari, por më së shumti në shtëpinë e tyre./abcnews.al