AKTUALITET, 23 Janar 2023, 21:14

Neritan Sejamini: Kam frikë se 21 janari po manipulohet politikisht, për të krijuar idenë e rreme se po bëhet drejtësi

Neritan Sejamini: Kam frikë se 21 janari po manipulohet politikisht,
Neritan Sejamini dhe Ulsi Manja

Një material i publikuar nga gazetari Artan Hoxha, ka risjellë në vëmendje ngjarjet e 21 janarit. Materiali pretendohet se është një komunikim mes Ndrea Prendit, komandanti i Gardës në atë kohë dhe vartësve të tij, ku ai kërkon të jenë në gadishmëri për të hapur zjarr. 

Neritan Sejamini e ka komentuar materialin në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV. Ai tha se ngjarja mund të jetë duke u përdorur sërish politikisht dhe i bën përshtypje fakti se Ministri Ulsi Manja dhe mazhoranca po flasin për zgjidhjen e çështjes, ndërkohë që ka më shumë se një dekadë që e kanë "harruar" atë. 

"Unë nuk flas dot për gjëra teknike. E vetmja gjë që më bëri pështypje, pse duhet të komandojë operacione komandati i gardës?

Kjo është një ngjarje shumë delikate, sepse ka të bëjë me ndjenja njerëzore dhe vdekje. Është edhe ngjarje e keqpërdorur nga politika. Kam frikë se edhe ky vrulli i ri është bërë për tu përdorur politikisht.

Kur dëgjoj ministrin Manja, që thotë ka ardhur koha të hetohet, pyes veten përse nuk ka qenë koha këto dhjetë vjet? Kjo çështje duhet të ishte zgjidhur nga pikëpamja politike, nga pikëpamja e interesit familjar dhe interesit publik.

Kjo përpjekje, kam frikë se është për ta manipuluar sërish, për të krijuar idenë e rreme se po bëjmë drejtësi. Po bëhet prapë një debate dhe palët japin mendime.

Kur një ngjarje e tillë hetohet, duhet të jetë serioze", deklaroi Sejamini.