AKTUALITET, 23 Janar 2023, 19:57

"Audio" për 21 Janarin, Artan Hoxha: Shansi i fundit për hetim nga Prokuroria!

"Audio" për 21 Janarin, Artan Hoxha: Shansi i fundit për

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, ka dhënë një deklaratë për mediat pas përfundimit të dhënies së dëshmisë së tij në Prokurorinë e Tiranës, mbi 21 janarin.

“Në fakt nuk është se e mbajta mend dhe e vura re sa kohë qëndrova, por u vura në dispozicion të hetimit. Prokurorja që heton 21 janarin kishte deleguar detyra për oficerët e policisë Gjyqësore, të cilët më kërkuan deklarimin tim për çështjen.

Përshëndes prokuroren që reagoi dhe shpresoj që ky detaj i ri të nxisë hetimin. Unë dhe familjarët e të vrarët kërkojmë që çështja ti kalojë SPAK, për mundësitë që SPAK ka. Duke pasur parasysh që është një krim shtetëror ku përfshihen zyrtarët më të lartë të shtetit, të cilët duhen marrë në pyetje, atribut që e ka SPAK.

Mbi ngjarjen nuk janë pyetur në atë kohë as Basha, as Berisha, as Ina Rama, as Bamir Topi dhe as Edi Rama.

Për mendimin tim kjo është mundësia e fundit për të zbardhur 21 janari. ka kaluar shumë kohë, e dyta kemi një strukturë të re si SPAK, koha nuk është më sic ka qenë dhe nuk është më presioni ndaj drejtësisë. Më vonë do të jetë shumë vonë për ti dhënë përgjigje familjarëve të viktimave. Duhet të qetësohen shpirtrat e tyre dhe familjarëve të tyre. Duhet të zbardhet kush i vrau në mes të bulevardit me duar në xhepa, kur asnjëri nuk ka qenë në rrethimin e Kryeministrisë.

Prokuroria duhet të shfrytëzojë këtë mundësi që po i jepet.

Është një ngjarje që ka ngelur në histori. Ngjan me 2 prillin e 1991.

Unë deklarova informacionin që disponoj, si është disponuar dhe jam i habitur që ky material nuk ka qenë në dosjen e hetimin dhe dosjen e gjykuar nga krimet e rënda. Jam i disponueshëm nëse do më thërrasin sërish. Nëse vlen si provë apo një indicie që i con tek prova e vlerëson prokuroria. Shërbimin që bëmë bashkë me familjarët duhet ta kishin bërë ata që e kishin për detyrë”, tha ai.

Ndërkohë para nisjes së deklarimit Hoxha tha para mediave se i është përgjigjur thirrjes që ka bërë prokuroria duke u paraqitur në këto ambiente.

Hoxha deklaroi për gazetarët se detyrat i është lënë policisë gjyqësore, ndërsa shtoi më tej me tone humoristike se duke ndjekur fjalën e avokatit Maks Haxhia, është veshur trashë pasi është i përgatitur për të qëndruar gjatë në këto ambiente.

Sakaq, ai shtoi se çfarë ka qenë për tu bërë publike është bërë nga ana e tij, ndërsa bëri thirrje për dhënien e një përgjigje për familjarët e viktimave Aleks Nika dhe Hekuran Deda të cilët sipas tij “janë ekzekutuar me urdhër” dhe ende nuk kanë autorë.