AKTUALITET, 27 Mars 2023, 22:53

Mërtiri zbulon tre grupet brenda grupimit “Alibeaj”: Ka njerëz që i instrumentalizon Berisha

Mërtiri zbulon tre grupet brenda grupimit “Alibeaj”: Ka
Fotomontazh: Mërtiri, Rakipi dhe Abilekaj

Analisti dhe sociologu Ergys Mërtiri, duke komentuar procesin e pamundur të nxjerrjes së kandidaturave për kryebashkiakë nga ana e grupimit “Alibeaj’ tha se aty ka patur përplasje mes tre grupeve që kanë patur mendime të ndryshme.

Mërtiri fajësoi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” kryetarin e PD-së, Berisha, duke thënë se ka njerëzit e tij brenda që i instrumentalizon. Pas kësaj deklarate, drejtuesi i emisionit, Ylli Rakipi, tha se gjendja qenka më e rëndë se çfarë mendonte, ndërsa analisti Enton Abilekaj u shpreh se “Foltorja” qenka shumicë edhe në grupimin e Alibeajt.  

Biseda në studio

Mërtiri: Problemi nuk është se grupi Alibeaj nuk nxjerr dot kandidatë, por ka regjisura, strumbullarë që janë ndërhyrje nga Saliu. Me sa di unë në mbledhje kanë qenë tre grupe: Njëri që të mos hyjmë fare me kandidatë që t’ia lëmë Saliut, që të mos përçajmë opozitën dhe të mbështesim kandidatët e Berishës që ishte grupi i udhëhequr nga Jorida tabaku, Dhurata Çupi etj. Një grup tjetër ishte që të dilnin me 61 kandidatë dhe këtu përfshihet Alibeaj, ndërsa një grup tha që ka zona ku mund të bashkëpunohet.

Rakipi: Pra gjendja qenka më rëndë se çfarë e mendoja unë. Qenkan tre grupe.

Mërtiri: Në bindjen time ka njerëz që i instrumentalizon Berisha.

Rakipi: Po ata duhet të shkonin te Doktori nëse i instrumentalizon!

Mërtiri: Po ky është problemi. Berishës i është bërë oferta: Hajde nxjerrim kandidatë të përbashkët dhe thotë jo. Kandidatët e tu t’i nxjerrim me vulën dhe stampën tonë dhe ai thotë jo. Tani këta thonë të mos përçahemi, ndërsa ai që është i zoti i punës nuk do. Këta janë duke i shërbyer Berishës se s’ka logjikë tjetër. Ose e kanë frikë Berishën se i shantazhin ai me ndonjë gjë.

Kjo është dora e Foltores e shtrirë te krahu i Alibeajt.

Abilekaj: Pra kur dora e Foltores shtrihet edhe aty, ai nuk ekziston si grupim, sepse dora e Foltores është shumica.

Mërtiri: Dora e Foltores është e aftë për intriga, për makinacione. E ka përçarë të djathtën historikisht.