AKTUALITET, 17 Tetor 2023, 15:42

Media franceze ndryshon deklaratën e presidentit Macron për "pezullimin" e liberalizimit të vizave për Kosovën

Media franceze ndryshon deklaratën e presidentit Macron për

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha sot në Tiranë se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.

Nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri është raportuar se Macroni ka deklaruar në Tiranë se Franca ka suspenduar vendimin për liberalizimin e vizave.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë konferencës për media në Shqipëri, ai tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën.

“Ajo që presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë, riorganizimin e zgjedhjeve në këto komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që presidenti Vuçiq dhe presidentja dhe kryeministri i Kosovës, të jenë të përgjegjshëm. Ne u kemi besuar për çështjen e vizave dhe u pezullua nga ana e Francës se ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk është mbajtur. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecim përpara në javët e ardhshme, është kushti i paqes në të gjithë zonën”,tha Macron.

Makron foli për pezullim të heqjes së vizave. Ai e ka bërë një paralajmërim të tillë edhe gjatë samitit të Vilnjusit disa javë më parë. Por procesi i liberalizimit të lëvizjes për qytetarët kosovarë nuk është më një gjë që varet nga shtetet anëtare. 

Me 18 prill të vitit 2023, Parlamenti Evropian ka miratuar ​Rregulloren (BE) 2023/850 – dhe plotësim ndryshimin e Rregullores (BE) 2018/1806 për të shtuar Kosovën në listën e atyre territoreve shtetasit e të cilëve mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Ceremonia e nënshkrimit të rregullores është mbajt me 19 prill 2023 në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Rregullorja e BE-së 2023/850 është publikuar në gazetën zyrtare të BE-së dhe ka hyrë në fuqi me 15 maj, 2023. Sipas saj qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike do ta gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza për vizita afatshkurta duke filluar nga 1 janari, 2024.