AKTUALITET, 15 Dhjetor 2021, 10:37

Ligjet shqyrtojnë sot dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit për Bashkëqeverisjen, Meta: Cënon dispozita konkrete të Kushtetutës

Ligjet shqyrtojnë sot dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit

Sot në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore do të diskutohet Dekreti i Presidentit Meta në lidhje me kthimin në Kuvend të Ligjit për Bashkëqeverisjen.

Në lidhje me këtë zhvillim ka reaguar dhe Presidenca përmes një njoftimi publik, ku nënvizon arsyet pse kreu i shtetit bëri kthimin e këtij ligji në Kuvend.

Në njoftim bëhet me dije se Presidenti Meta nuk e dekretoi këtë ligj pasi cënon dispozitat e Kushtetutës, mes të cilave pavarësinë e autonomisë vendore, sigurinë juridike, hierarkinë e akteve, si dhe centralizon pushtetin tek një institucion në varësi direkte nga kryeministri.

Reagimi i Presidencës

në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore Sot do të shqyrtohet Dekreti i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta “Për kthimin e ligjit nr. 107/2021 “Për Bashkëqeverisjen”, shoqëruar me arsyetimin e detajuar.

Presidenti Meta nuk e dekretoi me miratim këtë ligj pasi:

1.  Cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, parimin e autonomisë vendore, parimin e sigurisë juridike, hierarkinë e akteve, si dhe centralizon edhe më shumë kontrollin dhe pushtetin tek një institucion në varësi direkte nga Kryeministri.

2.  Procedura e ndjekur për miratimin e ligjit nr. 107/2021, është realizuar në shkelje flagrante të parashikimeve të ligjit nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.

3.  Bie ndesh, krijon mbivendosje dhe nuk është në harmoni me parashikimet e ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.

4.  Bie haptazi ndesh me ligjin nr. 10385, datë 24.02.201, “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, i ndryshuar.