AKTUALITET, 22 Shtator 2023, 16:39

Ligj i ri për organizimin e administratës publike, drafti, ndryshon mënyrën e llogaridhënies së institucioneve të varësisë

Ligj i ri për organizimin e administratës publike, drafti, ndryshon

Brenda vitit 2024 qeveria do të amendojë tërësisht ligjin e vitit 2012 për organizmin e institucioneve publike, ndërkohë që deri në qershor 2025 është parashikuar të ketë përfunduar rishikimi rrënjësor i legjislacionit dytësor. Synimi kryesor është përmirësimi i llogaridhënies për institucionet e varësisë, ashtu si dhe mirëpërcaktimin e tipologjisë së institucioneve të varësisë. Plani për ndërhyrje në këtë ligj, i cili i takon më shumë se një dekade më parë, është bërë publik nga Ministria e Drejtësisë në dokumentin e masave prioritare për reformën në Administratën publike 2023-2030.

Përmes këtyre ndërhyrjeve pritshmëritë e Qeverisë janë që korniza e llogaridhënies për institucionet e varësisë të jetë përmirësuar dhe ministritë ushtrojnë mbikëqyrje efikase ndaj tyre brenda vitit 2025. Brenda këtij viti, parashikohet që krijimi i institucioneve të reja bëhet mbështetur në kritere të qarta lidhur me tipologjinë dhe legjislacionin e aplikueshëm.

Në dokument, flitet edhe për pagat e reja të administratës publike, por edhe elementë të tjerë të reformës, siç janë vlerësimi, apo rekrutimi i punonjësve të saj, e veçanërisht i trupës së lartë drejtuese, në një kohë që prioritet do i jepet integritetit të tyre. Dokumenti përcakton krijimin brenda vitit 2024 të një manuali praktik për të promovuar zbatimin uniform dhe efikas të legjislacionit për integritetin, i përgatitur në bashkëpunim me ILDKPKI-në. Po ashtu, udhëzimet dhe rregulloret për çështjet e etikës dhe integritetit do të jenë të rishikuara dhe miratuara deri në fund të vitit 2024.

Më tej, dokumenti i hedhur për konsultim publik përcakton Zhvillimin brenda vitit 2024, të një programi trajnimi gjithëpërfshirës që trajton çështjet kryesore të etikës dhe integritetit në administratën publike. Ndërkohë që brenda vitit 2025, sipas dokumentit të masave prioritare, duhet të jetë përfunduar vendosja e këshilltarëve për integritetin dhe etikën në të gjitha organet publike dhe marrja e masave që ata të kenë aftësitë, burimet dhe mbështetjen e nevojshme për të kryer rolet e tyre në mënyrë efektive.