TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Komisioni Europian ka paralajmëruar përsëri Shqipërinë që të mendojë programin e saj për pasaportat e arta, pasi mund t’i kushtojë shtetasve shqiptarë rikthimin e regjimit të lëvizjes me viza, të hequr në vitin 2010.
Që prej vitit 2020 qeveria po përpiqet të zbatojë një plan për pasaportat e arta për të huajt dhe investitorët. Në fund të korrikut 2022, qeveria bëri disa ndryshime në ligjin për partneritetet publiko-private (PPP) duke shtuar programet e shtetësisë.
“Ngritja e një skeme të nënshtetësisë së investitorit do të ishte në kundërshtim me rekomandimet e bëra në Raportin e Katërt sipas Mekanizmit të Pezullimit të Vizave dhe paketës së zgjerimit 2021”, thuhet në raport.
Sipas vlerësimeve të bëra nga Komisioni Europian, një program për shtetësinë e investitorit mund të shërbejë për të anashkaluar procedurën e vizave me qëndrim të shkurtër të Bashkimit Europian, duke paraqitur rreziqe të mundshme migracioni dhe sigurie.
Komisioni Europian u ka bërë thirrje disa herë autoriteteve në Shqipëri që të mos nisin një skemë të tillë pasi ajo mund të cojë në përfshirje në shumë afera të paligjshme si pastrim parash dhe afera të tjera të paligjshme, thuhet në artikullin e SchengenVisaInfo.com.
“Ky është një shqetësim i madh për BE-në në kuadrin e marrëveshjes së saj pa viza me Shqipërinë. Komisioni mendon se, nëse skema të tilla vlerësohet se përbëjnë një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme dhe politikën publike të Shteteve Anëtare, regjimi pa viza mund të pezullohet”, thuhet në deklaratë.
Skema e Pasaportës së Artë lejon të huajt e pasur që kontribuojnë financiarisht në Shqipëri dhe plotësojnë kërkesa specifike që të marrin nënshtetësinë në këtë vend. Megjithatë, shpesh ka pasur kritika se kjo skemë është një derë e hapur për shumë afera të paligjshme.
Komisioni thekson faktin se Shqipëria ka ndjekur shumicën e rekomandimeve të bëra prej tij më parë, megjithatë thotë se janë paraqitur edhe masa që bien ndesh me rekomandimet e tij në lidhje me përafrimin dhe programin e shtetësisë, duke theksuar përparimin e mëtejshëm që nevojitet për çështje specifike, ndër të cilat heqja dorë nga planet e skemës së "Pasaportës së Artë".
Paralajmërimi i ri vjen në kohën kur projekti i Marinës së Jahteve në Durrës nisi në 8 dhjetor shitjen e apartamenteve. Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe konsorcumit të Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a., dhe Nshmi Development L.L.C”, parashikon veç të tjerash që :”investitorët e huaj të cilët blejnë drejtpërdrejt nga prona e Investitorit Strategjik në Projekt, të kenë të drejtë të aplikojnë për shtetësi dhe/ose rezidencën e përhershme të Republikës së Shqipërisë.