AKTUALITET, 13 Prill 2023, 22:49

“Kanë dashur ta trembin, është zonë e djathtë”, gazetari tregon atentatin me tritol ndaj kreut të PD-së në Vaun e Dejës

“Kanë dashur ta trembin, është zonë e
Fotomontazh: Bernard Ndreca dhe gazetari Bregu

Dy ditë më parë, kryetari i PD-së së drejtuar nga Sali Berisha, për zonën e Vaut të Dejës, Bernard Ndreca, i mbijetoi një shpërthimi të lëndës eksplozive që i ishte vënë në makinë natën në oborrin e shtëpisë në fshatin Paçram.

Gazetari Sokol Bregu tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se nga fakti që iu vendos vetëm 50 gramë tritol dhe në krahun e pasagjerit, do të thotë se kanë dashur ta trembin, duke e lidhur me situatën zgjedhore.  

“Opozita thotë që është një vepër politike, mund të jetë e tillë, përderisa nuk ka një përgjigje nga Policia e Shtetit për ta kundërshtuar këtë deklaratë të opozitës. Gjithsesi është një akt që quhet terrorist, përderisa është me shpërthim. Ajo që ka ndodhur e ka vënë në dyshim policinë e Shkodrës për 2 apo 3 arsye.

Ka qenë një trembje, nga fakti që është vënë vetëm 50 gramë tritol dhe në krahun e pasagjerit. Ata e kanë vëzhguar prej kohësh kreun e PD-së dhe ai nuk kishte pasagjer në momentin e daljes nga shtëpia.

Duhet të kemi parasysh zonën ku ka ndodhur, që është ndër zonat më të vështira në Shqipëri. Është një zonë që mban rekordin për vonesat në numërimin e votave në Shqipëri, mëse dy muaj, siç ndodhi para 12 vjetësh, apo para 4 vjetësh kur u dogjën kutitë e votimit. Kandidati i PD-së, Zef Hila, është një kandidat me një stof të veçantë, për shkak të ndikimit të tij në zonë, sepse nuk ka humbur kurrë në zgjedhje. Kjo është një zonë tërësisht e djathtë, ku ajo ka dominuar dhe nuk ka qenë majtas si zonë.

Policia ka shoqëruar disa të dyshuar, por ka një vështirësi shumë të madhe, sepse shpërthimet me eksploziv nuk lënë gjurmë. Aty ku ka ndodhur shpërthimi, nuk ka kamera për të parë 2 personat që kanë vendosur eksplozivin. Edhe kandidati i PS-së në këtë zonë e ka dënuar si akt, duke kërkuar nga prokuroria hetime”-tha gazetari Bregu.