AKTUALITET, 13 Prill 2023, 21:40

"Lekët e ndjekin Lulin këmba këmbës!"/ Rakipi pyet Spahinë me çfarë parash bëjnë fushatë, pasi fondet i mori grupi Alibeaj

"Lekët e ndjekin Lulin këmba këmbës!"/ Rakipi pyet

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, njëkohësisht kandidat i koalicionit "Bashkë fitojmë" në zgjedhjet lokale, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" për të folur për fushatën elektorale dhe programin e tij për Shkodrën. 

Spahia u pyet nga Ylli Rakipi lidhur me fondet që grupi i Berishës përdor për fushatë, pasi fondet nga KQZ i mori PD zyrtare, e cila ka kryetar në letra Lulzim Bashën dhe kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn. Ky grupim nuk arriti të nxjerrë kandidatë në shumicën e bashkive por do të ketë një fond prej një milion dollarë nga paratë publike për të bërë fushatë. 

Spahia deklaroi se grupi Berisha përdor donacione nga anëtarët dhe mbështetësit për të bërë fushatë elektorale. 

Pjesë nga biseda në studio: 

Ylli Rakipi: Ju nuk keni fonde, paratë i ka marrë grupi Alibeaj. Fat i madh ky fati i Lulit, që e ndjek leku kudo këmba këmbës! Si ka mundësi? Po ju ku do ti gjeni lekët për fushatë?!

Bardh Spahia: Ne do ti gjejmë nëpërmjet donacioneve dhe dashamirësisë së mbështetësve tanë. 

Ylli Rakipi: Ndonjë oligarku u jeni drejtuar, apo nuk e kthejnë kokën fare?

Bardh Spahia: Unë jo.

Ylli Rakipi: Ata hedhin, por fshehtas. 

Bardh Spahia: Në Shkodër nuk kemi oligarkë. Kemi biznesmenë.

Enton Abilekaj: Nuk ka jo, oligarkët investojnë në jug.

Bardh Spahia: Ne mundohemi të bazohemi te kontributi i anëtarësisë tonë, siç kemi bërë vazhdimisht.

Ylli Rakipi: Pra Shokodra paska mbetur edhe pa oligark.