AKTUALITET, 16 Nëntor 2023, 13:51

“Komploti” intrigon Lulzim Bashën, kreu i PD-së së vulës merr librin e ri të Ben Blushit

“Komploti” intrigon Lulzim Bashën, kreu i PD-së së

Lulzim Basha duket se është intriguar nga libri më i ri i Ben Blushit, ‘Komploti”, që është prezantuar në Panairin e 26-të të Librit në Pallatin e Kongreseve.

Kreu i PD-së zyrtare, i shoqëruar nga publicisti Preç Zogaj, vizitoi stendën ku ishte libri i Blushit, ku u takua edhe me autorin.

Lulzim Basha prej shtatorit 2021 është në përplasje të ashpër me Sali Berishën  dhe ndjekësit e tij, ndërsa ka mbajtur vulën dhe simbolet e PD-së dhe çështja ka mbetur peng në gjykatë.

Sipas Berishës, Basha është peng i Ramës dhe po shërben për të shkatërruar opozitën shqiptare.

“Komploti” i Ben Blushit, sipas shkrimtarit, i zhvillon ngjarjet në vjeshtën e vitit 2043 dhe në pranverën e vitit 2044, kur për shkak të ndryshimeve demografike popullsia e Shqipërisë është zvogëluar, ndërkohë që shumë refugjatë kanë ardhur të jetojnë me ne. Ata janë kryesisht afganë, por dhe sirianë e iranianë, të vendosur në qytetin e Shëngjinit, i cili këto ditë u caktua realisht një zonë ku do strehohen refugjatët që nuk e kalojnë dot Adriatikun.

Meqë popullsia e tyre, pra e emigrantëve shtohet me ritme të larta, ndërkohë që shqiptarët lindin më pak dhe emigrojnë më shumë, në vitet 2040, të huajt bëhen shumicë dhe fitojnë bashkinë e Shëngjinit duke zgjedhur Kryetar Bashkie një afgan.

Për shkak të rrethanave dhe ndryshimit të shpeshtë të Qeverive, ky afgan që martohet me një shqiptare, zgjidhet Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë. Këtu fillon Komploti.

Afgani, pra Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë vendos të clirojë Kosovën e cila për shkak të ndryshimit të konjukturave është pjesërisht e pushtuar nga serbët që janë inkurajuar nga avancimi i Rusisë në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji.

Për të penguar çlirimin e Kosovës nga afganët, tre cifutë që bëhen bashkë për arsye të ndryshme, thurrin një Komplot. Ata të tre kanë pikëpamjet e tyre sa i takon Amerikës, Rusisë, Shqipërisë dhe sidomos Izraelit dhe konfliktit të tij me Palestinën. Njëri prej tre çifutëve është sionist, tjetri është komunist dhe i treti është një aventurier shqiptar që shpesh krijon kaos pa shkak.

Komploti përfundon me një tentativë të afganëve për grusht shteti, pra një përpjekje për të marrë Qeverinë e Shqipërisë dhe për ta kthyer Shqipërinë në një Afganistan të vogël në mes të Europës. Këtë përpjekje të afganëve, shqiptarët arrijnë ta shmangin me ndihmën e tre cifutëve dhe përmes një veprimi të çuditshëm.