AKTUALITET, 23 Shtator 2022, 16:38

Fasha prej 800 kwh e energjisë elektrike, ERE nis diskutimet

Fasha prej 800 kwh e energjisë elektrike, ERE nis diskutimet

Ka nisur diskutimi i i Bordit Rregullator të Energjisë Elektrike, për vendimin e qeverisë për vendosjen e fashës, sipas së cilës kushdo që do të harxhojë më tepër se 800 kwH energji do ta paguajë atë me çmimin e tregut.

Furnizuesi i Shërbimit Universal, ka aplikuar në ERE në datë 20 shtator për vendosjen e fashës prej 800 KWh dhe çmimin për konsumin mujor mbi këtë nivel për konsumatorët familjarë. Kërkesa e FSHU bazohet mbi vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionerëve të KESH të cilët kanë përcaktuar që çmimi për konsumin mbi 800 KWh/muaj për konsumatorët familjarë të jetë 34.3 lekë/kwh.

Bazuar në llogaritjet e FSHU, konsumi mbi 800 KWh për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor përbën rreth 7% të konsumit total të tre muajve bazuar në shifrat e vitit 2021 por edhe të parashikimit të bërë nga FSHU në aplikim.

FSHU raporton një rritje në kostot e blerjes nga KESH të energjisë elektrike, për familjaret për konsumin mbi 800 kwh/në muaj, me 1.8 miliardë leke, rreth 15.6 milione Euro, për shkak të vendimit të Asamblesë së aksionerëve për rritjen e çmimit nga 2.6 në 34.3 lekë/kwh.

Lidhur me këtë kërkesë, dy deputetët e PD, Flamur Hoxha dhe Jorida Tabaku, të pranishëm në mbledhjen e ERE kanë kundërshtuar, duke thënë se do të goditeshin drejtpërdrejtë qytetarët shqiptarë.

Sipas tyre është jo normale që vendosja e fashës të bëhet në një periudhë kur ën Shqipëri rriten rezervat hidrike dhe për pasojë edhe prodhimi i energjisë elektrike.