AKTUALITET, 23 Shtator 2022, 15:14

“Pesë fëlliqësira të korruptuar nga Rama:”/ Autoriteti i Dosjeve i përgjigjet Metës: Fyerja parashikohet si vepër penale

“Pesë fëlliqësira të korruptuar nga Rama:”/

Autoriteti i Dosjeve ka reaguar pas deklaratave të bera nga kreu i Partisë së Lirisë. Në një deklaratë për mediat, Autoriteti i Dosjeve thotë se “fyerja kundrejt moralit dhe dinjitetit të personit parashikohet si vepër penale në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”.

Kujtojmë që në intervistën televizive të enjten në mbrëmje, Meta i quajti anëtarët e Autoritetit të Dosjeve “fëlliqësira që i ka korruptuar Edi Rama”.

“Këta për të dëmtuar Ilir Metën, provokojnë të kaluarën e shumë njerëzve. Pse të shkoj unë aty, a jemi shtet ligjor. Jam verifikuar që nga 92 e vazhdim, kam firmosur një deklaratë që nuk kam qenë bashkëpunëtor, me përgjegjësi penale. Tani paskam shpikur përrallat e këtyre që e dimë ne kur janë gatuar. Më ço në ndjekje penale, si të kam çuar unë. Unë të vete tek ato 5 fëlliqësira që i ka korruptuar Edi Rama. Për ca të vete unë, për anonimatin. Ata të vijnë tek prokuroria e Edi Ramës. Është beteje e fituar kjo, ka mbaruar me kohë”, tha Meta.

REAGIMI I AUTORITETIT TE DOSJEVE NE PERGJIGJE TE KREUT TE PARTISE SE LIRISE, ILIR META:

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në mënyrë të përsëritur konstaton, me keqardhje, se gjuha e përdorur nga ana e z. Ilir Metaj në media (Intervistë me gazetarin Sokol Balla në emisionin ‘Top story’, 22 shtator 2022) është fyese dhe cënon dinjitetin e secilit prej anëtarëve të Autoritetit.

Është e drejtë e çdo individi të shprehë lirisht mendimet e tij, por nga ana tjetër kjo liri e shprehjes kufizohet nga etika në funksion të mbrojtjes së moralit dhe dinjitetit të personave kundrejt të cilëve drejtohet.

Fyerja kundrejt moralit dhe dinjitetit të personit parashikohet si vepër penale në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, neni 119, paragrafi 2, i cili parashikon se: ‘Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.”

Autoriteti shpreh keqardhje që shprehje fyese dhe jo etike, vijnë nga ish-zyrtarë në funksionet më të larta shtetërore dhe synojnë intimidimin e trupës kolegjiale gjatë zbatimit të detyrës për informimin e publikut me dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.

Institucionet ligj zbatuese, përfshirë këtu edhe institucionet ku është paraqitur kallëzimi penal ndaj anëtarëve të Autoritetit, duhet të lejohen të kryejnë detyrën e tyre në këtë drejtim.

Autoriteti është i hapur për bashkëpunim me çdo subjekt dhe të gjithë të interesuarit, si dhe garanton publikun për kryerjen me integritet, ligjshmëri dhe efektivitet, jashtë ndikimit politik të veprimtarisë së tij, për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent, mbrojtjes së personalitetit të individit, si dhe unitetit të pajtimit kombëtar.