AKTUALITET, 4 Korrik 2022, 21:36

“Edicionet e lajmeve janë qoka”/ Mustafa Nano thirrje Sandër Frangajt dhe Vjollca Hoxhës: Stop me kasetat e gatshme, ju lutem, ju puth këmbë e duar!

“Edicionet e lajmeve janë qoka”/ Mustafa Nano thirrje
Mustafa Nano, Vjollca Hoxha, Aleksandër Frangaj

Mustafa Nano ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, në një intervistë për Ylli Rakipin. Gjatë intervistës u fol edhe për gjendjen e medias në Shqipëri.

Nano tha se edicionet e lajmeve të televizioneve janë kthyer në qoka dhe se kasetat e gatshme nuk janë gazetari, ndaj bëri edhe një thirrje publike për dy pronarë mediash, që të ndalin këtë praktikë.  

Nano tha se kryeministri Rama, nuk ka interes për gazetarët, sepse ka lidhje direkte me pronarët e mediave. 

"Nuk është gazetari kur merr kasetat e gatshme por propagandë gëbelsiane. Jemi pjesë e kësaj të gjithë. Dua t’ja them Frangajt dhe Vjollca Hoxhës, të paktën këtë, ju bëj rixha, ju lutem, ju puth këmbë e duar, e keni në dorë, shmangeni, thoni stop nuk duam kaseta, sepse nuk ësht gazetari! Nuk e di pse nuk e bëjnë, e kanë fuqinë ta bëjnë. Nëse nuk kanë fuqi, atëherë nuk janë të lirë, por 100% me pushtetin.

***

Rama ka këtë stilin që çinteresohet për gazetarët edhe për ata të rëndësishmit, nuk do tja dijë për ata. Por, është i fokusuar te marrëdhënia me pronarët dhe televizionet. Nuk i interesojnë gazetarët, madje edhe ata të rëndësishmit janë të lirë të flasin, i hakërrehen në studio. Me këtë krijohet një lloj ideje e rreme dhe e gënjeshtërt, që ka liri shtypi, përderisa i hakërrehen kryeministrit. Mirëpo nuk është.

Pjesa tjetër e shtypit funksionin i kondicionuar nga raporti që kryeministri ka me mediat, me pronarët. Edicionet e lajmeve janë qoka për qeverinë, por edhe për opozitën", deklaroi Nano.