AKTUALITET, 4 Korrik 2022, 20:55

Mustafa Nano: Pjesa më e bukur e jetës time ka qenë para viteve 90’! Shpresa që kishim, pas rënies së komunizmit, u vra…

Mustafa Nano: Pjesa më e bukur e jetës time ka qenë para viteve
Mustafa Nano dhe Ylli Rakipi në TPZ

Mustafa Nano ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, në një intervistë për Ylli Rakipin, ku ka rrëfyer detaje nga jeta e tij, që në komunizëm dhe ka folur për pritshmëritë dhe zhgënjimet pas vendosjes së pluralizmit.

Nano thotë se koha kur është ndjerë më i lumtur në jetën e tij, ka qenë para viteve 90', kur ishte një i ri që nuk përjetonte "kokëçarjet" për politikën dhe botën. 

Pjesa nga intervista:

Mustafa Nano: Jeta jonë është e ndarë fuqimisht nga viti 1990. Duke përjashtuar gjeneratat e reja, që në atë kohë kanë lindur, viti 1990 ishte një vit që për secilin prej nesh shënjonte një fillim të ri. Unë në vitin 1990 kam patur një lloj paniku, kërshërie se cfarë do të ndodhte me jetën time dhe me jetën e këtij kombi. Kam patur një lloj naiviteti sepse supozoja që në harkun e pak viteve, të dy dekadave, Shqipëria do të normalizohej. Kur kthej kokën mbrapa, mua syri më ndalon me qejf në periudhën para vitit 1990.
Unë jam rritur në një provincë, në qytetin e Çorovodës në Skrapar. Kam kaluar një fëmijëri të qetë edhe një rini të qetë gjithashtu. Më kujtohen kohët e gjimnazit mes miqve të mi, ka qenë një gjimnaz i mirë.
Ishte koha kur nuk kisha kokëçarje të natyrës politike. Nuk isha as antikomunist dhe as komunist. Kam qenë komunist deri në moshën 18 vjeç, isha i bërë njësh me regjimin. Por, nuk bëja pjesë tek rinia komuniste që të isha i pasionuar dhe entuziast. Në qetësinë time dhe intimitetin tim, mendoja se ai ishte regjimi i duhur. Pastaj u rrita dhe kur erdha në shkollë në vit të parë, krijova një raport timin me regjimin dhe krijova bindjes së është regjim i gabuar.
Mbaj mend njëherë që nëna ime në një bisedë me tim atë, i ka thënë, kur Enver Hoxha sapo kishte mbajtur një fjalim dhe kishte thënë po të isha i ri do të shkoja me dëshirë të punoja në fshat, dhe kur ka thënë këtë gjë, djemtë e tij dhe vajza kanë qenë në atë moshë. Nëna ime që ishte anëtare partie, i tha tim eti, përse nuk çon fëmijët ai? Është gjëja e parë anti komuniste që kam dëgjuar. Babai i bëri një shenjë dhe i tha, mos se kemi djalin këtu!

Ylli Rakipi: Mos ndoshta edhe shpresa që kishim pjesën e dytë u vra Muçi? Pas viteve 90' flas.

Mustafa Nano: Sigurisht që u vra. Pjesën e dytë, unë kam bërë gjërat më të rëndësishme të jetës time. Kam bërë lexime, udhëtime, kam njohur njerëz të rëndësishëm, kam qenë protagonist i jetës publike në Shqipëri, por pjesa më e bukur e jetës time është para vitit 90’.

Ylli Rakipi: Thua është mosha, apo zhgënjimi është më i madh në këtë pjesë?

Mustafa Nano: Kam qenë i kënaqur me atë jetën që bëja. Pastaj kur fillova pas moshës 24 vjeç, ndërtova një raport ku kisha edhe pak mllef ndaj regjimit. Atëherë ndryshuan gjërat. Por deri sa mbarova shkollën e lartë, unë kam qenë okej, bëja jetë të mirë, kisha miq të mirë me të cilët argëtohesha, kisha momente lumturie. Bënim të gjithë gjërat që bën njeriu. Bënim dashuri, këndonim me kitarë. Edhe larg kokëçarjeve mbi botën. Pastaj filluan kokëçarjet mbi botën. Me sa duket ka të bëjë edhe me moshën edhe me përmbysjen që pastaj na solli zhgënjime të mëdha.  Mendoja se do të kishte një ndryshim të dukshëm që të paktën do të na inspironte.

Ylli Rakipi: Ne kemi jetuar në dy kohë të ndryshme. Njeriu në këto raste merr edhe fraktura dhe goditje, të cilat nuk varen shumë prej tij. Njeriu në përgjithësi në këtë vend. Kush ka shpëtuar me më pak plagë, është sukses. Jetesa në dy sisteme, në dy kohë, çfarë mendon se i bën njeriut?

Mustafa Nano: Kohën e parë e kam jetuar në mënyrë normale brenda atij regjimit dhe murit për të cilin ti flet. Unë lexoja librin “Djemtë e Rrugës Pal”…

Ylli Rakipi: Regjimi lejonte edhe letërsi interesante, varet çfarë i shkonte në mendje diktatorit. Përshembull botohej Graham Green me Komedianët, që po ta lexosh edhe sot kuptohet që ne shqiptarët jemi më shumë komedianë se sa haitianët. Ne në dy kohët, sa mendon se kemi shpëtuar nga deformimi?

Mustafa Nano: Kjo periudha e dytë është periudhë e çuditshme në jetën tonë. Kemi patur mundësi në rrethanat e lirisë ta shpalosim veten dhe të tregojmë kush jemi, por është një rrethanë e çuditshme edhe në terma të sofistikimit kulturor që ne pretendonim. Nuk është normale të lexosh Kafkën në moshën 35 vjeç. Nuk është normale të lexosh Biblën dhe Kuranin, kur je 45 vjeç. Kështuqë edhe në këtë, i kemi hipur kalit mbrapsht sepse ashtu na qëlloi. Nuk e di se sa kemi shpëtuar.
Kur kam qenë emigrant në Itali, përpiqesha të ballafaqohesha me atë botë. E shihja veten, si njeri me inteligjencë normale, që përballë shumë njerëzve atje edhe bëja përshtypje, flisja edhe gjuhën e tyre. Por, kuptoja dhe përpiqesha të mos e ekspozoja këtë gjë, kuptoja që kisha vrima të zeza në kulturën time. Kisha bërë Universitet, por nuk kisha marrë një formim solid. Në rrethanat e një urgjence të jashtëzakonshme, unë kam lexuar si i uritur. Në Napoli, e kam parë dy herë, sepse mbyllesha dhe lexoja, plotësoja boshllëqet.

Ylli Rakipi: Kjo na ndodh të gjithëve. Ja tani ti përshembull ke pantallona të çara këtu, ato gjëra që nuk i kemi patur. Lodrat tona kanë qenë shumë të kufizuara. Kanë qenë mungesa të mëdha që ne ndoshta i thërrasim edhe tani.