AKTUALITET, 15 Gusht 2022, 09:18

Dyshohet se qëlloi mbi inspektorin e IMT, do të dalë sot para gjykatës pronari i banesës! Policia merr në pyetje avokaten e të arrestuarit

Dyshohet se qëlloi mbi inspektorin e IMT, do të dalë sot para

Ditën e sotme, pritet të dalë para Gjykatës së Tiranës personi që dyshohet se qëlloi me armë zjarri mbi inspektorin e IMT-së që po i prishte shtëpinë.

Ai do të njihet me masën e sigurisë që do të kërkojë Prokuroria dhe do të vendos Gjykata. Sipas të dhënave, bëhet me dije se është bërë e mundur të merret dëshmia e të plagosurit, i cili i ka thënë grupit hetimor se Qani Muça pasi e ka sharë dhe e ka goditur, ka kërkuar që të largohej me dhunë prej aty dhe më pas dyshohet se ai ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar.

Inspektori i plagosur i ka thënë grupit hetimor që Muçës i vinte era alkool në momentin që janë përleshur njëri me tjetrin. Po ndërkohë që personi që tentoi të mbronte pronën e tij nga shembja e IMT-së pritet të dalë para Gjykatës, mësohet se avokatja e tij mbrojtëse është thirrur ditën e djeshme në Policinë e Tiranës. Ajo është vënë para përgjegjësisë se sipas Policisë, ka shtyrë të kryejë atë veprim klientin e saj.

Dyshohet se qëlloi mbi inspektorin e IMT, do të dalë sot para
Avokatja Adriana Kalaja

Adriana Kalaja bëri me dije ditën e djeshme publikisht se ka vënë në dispozicion të oficerëve të Policisë Gjyqësore të gjitha bisedat që janë kryer me klientin e saj, duke mos gjetur asnjë bisedë kompromentuese. Por, ndaj saj ka nisur një procedim për shkak të një statusi në rrjetet sociale që lidhen me ngjarjen e rëndë të pasdites së 12 gushtit në Tiranë.

Plagosja me armë zjarri e inspektorit të IMT-së nga pronari i një godine pasditen e së premtes është cilësuar nga Prokuroria si një tentativë vrasjeje ndaj një funksionari publik. Për këtë akuzë dhe për “Armëmbajtjen pa leje”, prokurorët e Tiranës i kërkuan Gjykatës caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për të akuzuarin për ngjarjen, Qani Muça.

Inspektori i plagosur ka dëshmuar se po fotografonte objektin e shembur nga IMT-ja kur është përballur me fyerje të 55-vjeçarit dhe ka parë një armë pistoletë të drejtuar nga vetja.

“Unë instinktivisht jam hedhur dhe ia kam kapur, pasi isha në distancë 2-3 metra larg tij. Në momentin që i kam kapur armën, ai e ka shkrepur dhe kam ndjerë që plumbi më preku në pjesën e barkut. Kam vazhduar të përleshem me të për t’i hequr pistoletën, por mesa mbaj mend pistoleta ka shkrepur për herë të dytë, ndërsa unë vazhdoja ta mbaja të bllokuar nga duart armën e Qani Muçës. Edhe pse u afruan punonjësit e Policisë, ai vazhdonte ta mbante dhe bënte rezistencë. Me sa kam parë, ishte në gjendje të dehur dhe vinte era alkool”.

Ndërsa punonjësit e Policisë, që kanë dhënë deklarime për ngjarjen, kanë pohuar se ishin aty në mbështetje të aksionit të IMT-së, kur kanë dëgjuar të shtënat. Sipas njërit prej tyre, në momentin e shoqërimit të Muçës, ai ka thënë “këta duhen vrarë të gjithë, se janë kriminelë”.