AKTUALITET, 17 Tetor 2022, 19:23

Dyshohet se dogji të gjallë dy persona në Greqi dhe iu grabiti 780 mijë euro, gjykata në Maltë vendos për ekstradimin e shqiptarit

Dyshohet se dogji të gjallë dy persona në Greqi dhe iu grabiti

Shqiptari Ledjon Brakaj, i dyshuar për një vrasje të dyfishtë do të ekstradohet në Greqi. Vendimi është marrë këtë të hënë nga një gjykatë në Maltë.

36-vjeçari shqiptar u arrestua në gusht të këtij viti në Maltë, pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet greke për vjedhjen prej 780 mijë eurosh dhe më pas vrasjen e një gruaje të moshuar bashkë me nipin e saj, ngjarja e ndodhur në vitin 2015.

Shqiptari dyshohet se ishte përfshirë në një grabitje e cila përfundoi në vrasjen e një gruaje të moshuar dhe nipit të saj. Ata u rrahën dhunshëm dhe më pas u dogjën të gjallë, shkruajnë mediat në Maltë, teksa i referohen autoriteteve greke.

Brakaj kërkohet të ndiqet penalisht për vrasje me dashje, vjedhje të rënduar nga dhuna dhe zjarrvënie me rrezik për humbje jete.

Gjatë procesit të ekstradimit para gjykatës së Magjistraturës, avokatët e Brakajt kishin ngritur dyshime për identitetin e të arrestuarit, duke kundërshtuar më pas edhe konkluzionet e ekspertëve të gjurmëve të gishtave.

Gjykata, megjithatë, kishte miratuar ekstradimin pasi vuri në dukje se urdhër-arrestet kishin të bënin me vepra të ekstradueshme, të dënueshme me burgim të përjetshëm sipas ligjit grek dhe gjithashtu të dënueshme sipas ligjit maltez.

Brakaj u mbajt në paraburgim në pritje të ekstradimit ose apelit të tij.

Avokatët e tij paraqitën një apel, duke argumentuar se vendimi i gjykatës së parë ishte i pasigurt dhe i pakënaqshëm pasi ajo nuk mori parasysh shqetësimet serioze që ata kishin vënë në dukje mbi situatën në burgjet greke.