AKTUALITET, 13 Qershor 2024, 12:23

Denoncimi i PD-së: Godina e Tatimeve do t’i jepet një privati për të ndërtuar një kullë 40 katëshe

Denoncimi i PD-së: Godina e Tatimeve do t’i jepet një privati

Partia Demokratike ka denoncuar se godina e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatime, pranë stadiumit Dinamo, do t’i jepet një privati për të ndërtuar një kullë 40 katëshe.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari ka deklaruar se ky vendim është marrë pa asnjë konsultë dhe nuk i shërben interesit të qytetarëve.

“Përveçse është një lulishte e munguar, nuk sjell asgjë për zgjidhjen  e problemit të strehimit, që është një shqetësim i madh sot. Kjo pasi çmimet e këtyre kullave janë aq të larta, sa janë të paprekshme për qytetarët e zakonshëm të këtij vendi”, u shpreh ai, duke shtuar se: “Ndaj, qëllimi i Ramës nuk është ky, por futja në ekonomi, pastrimi i një sasie tjetër të madhe të parave të pista.”

Deklarata e Grigels Muçollari:

Jemi këtu tek zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pranë Stadiumit Dinamo.

Kjo godinë pas meje, është në planet e Edi Ramës që të shembet, e kjo pronë ti jepet një privati për të bërë një kullë 40 katëshe ose më shumë.

Ky vendim i Edi Ramës, pa asnjë konsultë, nuk i shërben aspak qytetit e qytetarëve. Përkundrazi, shton betonin dhe ngushton edhe më shumë hapësirat e përbashkëta.

Përveçse është një lulishte e munguar, nuk sjell asgjë për zgjidhjen  e problemit të strehimit, që është një shqetësim i madh sot. Kjo pasi çmimet e këtyre kullave janë aq të larta, sa janë të paprekshme për qytetarët e zakonshëm të këtij vendi. Ndaj, qëllimi i Ramës nuk është ky, por futja në ekonomi, pastrimi i një sasie tjetër të madhe të parave të pista.

Është e papranueshme nga ana tjetër që Edi Rama të sillet si pronar i këtyre godinave. Askush nuk e ka bërë Edi Ramën pronar. Këto janë prona publike dhe shtetërore, dhe janë ndërtuar me kontributin e shqiptarëve të gjithë atyre që kanë paguar taksa në këtë vend. Prona që janë ndërtuar nga puna dhe mundi i shqiptarëve.

Ky është një tjetër rast, kur Edi Rama rrit edhe më shumë klientelizmin dhe favorizimin, pra rrit korrupsionin në vend, që ndërkohë është në nivele alarmante. Ne e dimë mirë se këtu, që është një nga vendet më të shtrenjta në Tiranë, tek Komuna e Parisit, tek ATSH-ja dhe zona të tjera të çmuara, ku godinat shtetërore do të shemben, me siguri ato do të kthehen në prona të miqve të tij, të oligarkëve me të cilët ai prej 11 vitesh ndan pasurinë e vendit.

Qytetarët nuk duhet ta pranojnë një aferë të re nga kjo qeveri. Duhet reagim. Duhet kundërshtim. Nesër mblidhemi serish para Bashkisë dhe ngremë zërin ndaj korrupsionit dhe padrejtësive.