AKTUALITET, 13 Qershor 2024, 10:06

Flitet për turizëm, por në Durrës kanalet e ujërave të zeza derdhen në det

Flitet për turizëm, por në Durrës kanalet e ujërave

Nga mëngjesi deri në darkë, kryeministri Edi Rama mburret me numrin e turistëve që janë futur në vendin tonë.

Sipas Ramës ky është një sukses i qeverisë së tij e cila çdo ditë e më shumë ka braktisur qytetarët dhe përfshihet nga skandali në skandal.

Por në një kohë që Edi Rama bën propagandë me turistët, harron infrastrukturën katastrofë në vendin tonë e cila nuk plotëson as nevojat bazike për një turizëm cilësor.

Prej vitesh ujërat e zeza në Durrës vijojnë të derdhen në det. Kjo sjell ndotje masive dhe panoramë aspak tërheqëse për turistët.

Midis zonës së Plepave dhe Shkëmbit të Kavajës është kanali i ujërave të zeza, i cili derdhet në det. Fare pranë tij janë të vendosura çadrat dhe shezlongët për pushuesit. Ky është një ndër kanalet e cila prej vitesh vijon të qëndrojë aty. Askush nuk ka marrë masa për ta mbyllur, pastruar apo filtruar ujërat.

Një kanal tjetër është i vendosur në Golem, një zonë e populluar me biznese të shumta dhe pushues gjatë sezonit. Ndotja që shkaktojnë ujërat e zeza përbën rrezik për banorët dhe pushuesit pasi mund të kthehen në burime infeksioni në lëkurë.
Ngjitur me këtë kanal janë të vendosura çadrat e bizneseve dhe priten pushuesit, me të njëjtën problematikë e cila nuk gjen zgjidhje prej vitesh.

Edhe tek sheshi Taulantia janë të dukshme tubacionet e ujërave të zeza të cilat derdhen në det. Situata mbetet e njëjtë pavarësisht se çdo çelje të sezonit të plazhit flitet për të njëjtat problematika.

Kanale ka edhe në brendësi të qytetit, ku grumbullohen ujërat e zeza që kalojnë mes për mes shtëpive të banuara, duke rrezikuar shëndetin e popullatës. Të gjitha kanalet derdhen në det./ Top Channel