AKTUALITET, 18 Qershor 2024, 14:06

Arkeologët zbulojnë gjurmë të reja për qytetin ilir në Shkodër

Arkeologët zbulojnë gjurmë të reja për qytetin ilir

Arkeologët shqiptarë dhe polakë kanë zbuluar gjurmë të reja dhe të dhëna për një qytet ilir në Bushat të Shkodrës.

Gërmimet u drejtuan nga Saimir Shpuza i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës në Poloni, në bashkëpunim me arkeologun e DRTK Shkodër, Helidon Sokoli.

Pas fushatave të mëparshme ku u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u lejua të kuptohej shtrirja e tij, gërmimet e këtij viti janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm të urbanistikës së këtij qyteti, shkruan “ATSH”.

Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shekullit të katërt (p.e.s), sipas datimeve paraprake.

Aktiviteti në terren ka për qëllim zbulimin e plotë të planimetrisë së këtyre ndërtimeve dhe më pas të arrijë të identifikojë rolin që ato kanë pasur.

Kërkimet shqiptaro-polake në Bushat janë parashikuar të vazhdojnë për disa vite, në përpjekje për të zbuluar sa më shumë nga forma dhe historia e këtij qyteti.

Falë bashkëpunimit mes Misionit Arkeologjik dhe DRTK Shkodër, po hartohet dosja teknike për shpalljen “Zonë e mbrojtur arkeologjike” A dhe B, duke plotësuar kështu hartën arkeologjike të arealit të Shkodrës edhe me një qytet antik dhe sit arkeologjik të vizitueshëm në të ardhmen.

Misioni shqiptaro-polak, i cili që nga viti 2011 hulumton në gjurmët e Shkodrës antike, ndër vite ka nxjerrë në dritë zbulime dhe artefakte të rëndësishme mbi shtrirjen e qytetit, urbanizimin e sistemin mbrojtës të qytetit në pjesën e ulët të tij. A.K.