AKTUALITET, 18 Qershor 2024, 13:07

Tenderat sekret gjatë pandemisë/ SPAK regjistron procedim penal për Manastirliun

Tenderat sekret gjatë pandemisë/ SPAK regjistron procedim penal

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar procedim penal ndaj ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në lidhje me tenderat sekret të bërë gjatë kohës së pandemisë, në kohën kur ajo drejtonte ministrinë e Shëndetësisë

Procedimi penal mban numrin 81 i vitit 2024, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Ky procedim është regjistruar pas kallëzimit të bërë nga deputetja e PD-së, Albana Vokshi në vitin 2020, për keqmenaxhimin dhe abuzimin me fondet e COVID-19.

Referuar kallëzimit të bërë nga Vokshi aso kohe, pretendohet se Manastirliu ka bërë tenderë sekretë gjatë kohës që ishte ministre e shëndetësisë. Burime pranë organit të akuzës thonë se për këtë çështje janë duke u kryer veprime hetimore.

Pak javë më parë, Albana Vokshi ka bërë një kallëzim shtesë për Ogerta Manastirliun, duke shtuar prova të reja ndaj saj, në lidhje me abuzimet me tenderat e shëndetësisë.

Më 19 shkurt, Ogerta Manastirliu u thirr në SPAK ku dëshmoi për mbi 2 orë para oficerëve të BKH-së dhe në prononcimin për mediat deklaroi shkurtimisht se ishte thirrur në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni mbi çështjen e sterilizimit në kohën kur ka drejtuar Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT).