AKTUALITET, 21 Mars 2023, 12:46

Arben Ahmetaj zyrtarisht nën hetim nga SPAK për tre vepra penale

Arben Ahmetaj zyrtarisht nën hetim nga SPAK për tre vepra penale

Arben Ahmetaj është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.

Mësohet se emri i ish-zëvendëskryeministrit është shënuar në regjistrin e personit ndaj të cilit po zhvillohen hetime për tre vepra penale si “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Në dokumentin e siguruar nga Euronews Albania, bëhet me dije se shtetasja e Erjola Hoxha nuk ka lidhje me hetimin që po bëhet nga prokuroria. Sipas SPAK kontrolli në banesën e saj lidhet me faktin se është bashkëjetuesja e ish-zëvendëskryeministrit dhe lidhjeve që ka me të.

Ahmetaj po hetohet nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me përfshirjen e tij në çështjen e inceneratorëve.

Pak ditë më parë, ai kundërshtoi kontrollet e ushtruara në banesën e bashkëjetueses së tij, si dhe banesën e ish-gruas. Në ankimim citohej se kontrollet janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe cënojnë sovranitetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Kontrolli u ushtrua në një vilë në zonën e Hamallajt, ku u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë ndërtesë.

Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente.